Maqedoni
Ministria e Ekonomisë, shpallje për vauçerë për turizëm
09.02.2024 15:31
Që nga dita e hënë 12 shkurt të vitit 2024, Ministria e Ekonomisë...

Që nga dita e hënë 12 shkurt të vitit 2024, Ministria e Ekonomisë këtë vit do të hapë thirrjen publike për ndarjen e 3,555 vërtetime për vauçerë në vlerë prej 18,000 denarë për pushime në objektet turistike vendore për punëtorët me të ardhurat mujore të të cilëve në familje nuk i kalojnë shumën neto prej 50,000 denarë. Për këtë masë, siç informoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, janë siguruar mjete në vlerë prej 64 milionë denarë apo rreth 1 milion euro dhe do të përfshihen 3,555 persona.
“Ministria e Ekonomisë vazhdon me realizimin e programeve dhe masave konkrete për zhvillimin e turizmit në RMV. Edhe këtë vit kemi vendosur që nga dita e hënë të shpallim thirrjen publike ku të gjithë të punësuarit me të ardhura të ulëta deri më 50 mijë denarë, do të kenë mundësi që të aplikojnë në Ministrinë e Ekonomisë për të shfrytëzuar vauçer për turizëm vendor në vlerë prej 18 mijë denarëve, ku janë paraparë të ndahen diku rreth 3,500 vauçerë për të njëjtën masë.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Këto vërtetime për pushim mund të shfrytëzohen jashtë sezonit turistik dhe do të mund të shfrytëzohet nga momenti i ndarjes deri më 30 qershor të vitit 2024 dhe afati tjetër është nga 15 shtatori deri më 1 dhjetor të vitit 2024.
Ministri Bekteshi po ashtu apeloi të gjithë qytetarët se për shkak numrit të madh të aplikimeve të pranuara, Ministria e Ekonomisë ka marrë vendim që të mbyllet shpallja publike për dhënien e vauçerëve për blerjen e kondicionerëve inventer për vitin 2024.
“Jemi në procedurë të themelimit të fondit për efikasitet energjetik, ku përveç mundësisë që buxheti i shtetit të japë mjete, dhe pas përfundimit të ciklit zgjedhor, dhe momentit kur do të kemi edhe të formalizuar mbylljen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, me siguri do të kemi edhe masa të reja të cilat do ta stimulojnë efikasitetin energjetik, i cili ndikon edhe në uljen e ndotjes, por ulë edhe konsumin e energjisë elektrike.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. (Fitim Kryeziu, TVM2)
