“Bomba” e XV, Zaev: 14 milion euro pajisje që u keqpërdorën për përgjime

01.04.2015 17:15

LSDM-ja sot publikoi “bombën” e 15, e cila, sipas tyre, zbulon skandalin për korrupsionin e shefit të inteligjencës, Sasho Mijallkovit, në bashkëpunim me kryeministrin, Nikolla Gruevski...

Sipas liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, nga bisedat e përgjuara kuptohet se flitet për blerjen e pajisjeve të përgjimit nga Izraeli, ku Mijallkov kërkon provizion prej gjysmë milion euro për ta realizuar këtë biznes.

Negociatat për blerjen e pajisjeve i udhëheq gjykatësja e zgjedhur nga vetë shefi i DSK-së, Svetllana Kostova, e cila i përcjell direktivat e Mijallkovit te përfaqësuesi i Kompanisë izraelite, “Haim Hakeyny”.

Përveç audio-xhirimeve, nga LSDM-ja, për herë të parë publikuan edhe mesazhe të cilat, siç thonë, janë shkruar nga Kostova dhe përfaqësuesi i kompanisë izraelite për të realizuar planet e biznesit të Mijallkovit. Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, tha se qeveria ka paguar 14 milion euro për pajisjet e përgjimit në vitin 2011.

“Bëhet fjalë për pajisje e cila është blerë në vitin 2011. Qytetarët e Maqedonisë kanë paguar 14 milion euro për pajisje e cila është blerë për t’u keqpërdorur, që Gruevski dhe Mijallkov të hynë në jetën e të gjithëve ne, që të kontrollojnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit, Nikola Gruevski, se opozita po përgatit skenar destabilizimi dhe krijimin e konflikteve ndëretnike, Zaev tha se sot komunitetet në Maqedoni janë të bashkuar më shumë se kurrë. Ai tha se do të jenë vetë komunitetet që do të angazhohen të parandalojnë konfliktet.

“Mbështetja për këtë ide çlirimtare dhe demokratike vjen nga të gjitha bashkësitë etnike, pa dallime fetare, madje edhe pa dallim të përkatësisë politike të qytetarëve. Mundësinë potenciale për konflikt ndëretnik do ta mbrojnë të gjitha etnitetet bashkërisht”- tha Zaev.

Kreu i Socialdemokratëve tha se për një kohë të shkurtër të gjithë do ta kuptojnë pse KE-ja ka refuzuar monitorim të procesit gjyqësor “Puç”, për momentin  gjyqësor, tani zhvillohen bisedime. (Sanije Kasami, TVM2)