Maqedoni
RTK: Tentim atentat ndaj Kurtit në Shkup
10.02.2024 14:41
Radio Televizion i Kosovës ka njoftuar se nga institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se ka pasur përpjekje nga Serbia...

Radio Televizion i Kosovës ka njoftuar se nga institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se ka pasur përpjekje nga Serbia, për vrasjen e kryemisnitri të Kosovës Albin Kurti, derisa ai po qëndronte në Shkup. Televizioni publik kosovar raporton se në bazë të informacioneve që ka kërcënimi për jetën e Kurtit ka qenë serioz, “sidomos duke marrë parasysh se kanë ardhur nga disa burime të informacionit”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të arritur në Prishtinë është pyetur nga gazetarët për planin e atentat ndaj tij, por ai ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup, por nuk është ndjerë i rrezikuar.
“Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil.”, tha kryemisnitri i Kosovës Albin Kurti.
MPB e RMV-së demanton zërat për tentim atentat ndaj Kurtit
MPB e Maqedonisë së Veriut për TVM2 demanton informacionet për tentim atentat ndaj Kurtit.
“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryemisnitrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur tentim atentati ndaj tij”, thonë shkurt nga Ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë së Veriut për TVM2.
Por servisi publik kosovarë ka cituar burime të besueshme nga institucionet e sigurisë në Kosovë, të cilët kanë thënë se, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup.
GYLTENE SINANI
