Kosovë, Mustafa jep llogari për 100 ditëshin e qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një raportimi për punën e qeverisë ka thënë se 100 ditët e para të qeverisë së tij ishin të vështira, por synimi i qeverisjes është kthimi i besimit tek qytetari...

Ai ka shtuar se, krahas vështirësive, ai së bashku me ekipin ka arritur të promovojë një vizion për Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik, si shtet i cili duhet të integrohet në strukturat euroatlantike dhe të mbajë miqësi të përhershme me SHBA-të.
“E kemi nisur mandatin në një gjendje mjaft të rëndë, e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj, me fillimin e grevave të punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve, me problemin e buxhetit i cili s’i ka plotësuar të gjitha nevojat, me protestat e organizuara nga opozita, me ballafaqimin e mundësisë së shkuarjes së Kombinatit “Trepça” në likuidim, me grevat e minatorëve, e me fluksin e migrimit në dy muajt e parë të këtij viti”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Mustafa theksoi se kjo periudhë kohore po ashtu ka qenë e aprovimit të dokumenteve shumë të rëndësishme, ku ndër to kanë qenë edhe programi qeveritar për katër vitet e ardhshme, plani i implementimit të programit qeveritar e programi kombëtar për reforma ekonomike.
Duke folur rreth çështjes së kalimit të FSK-së në FAK, Mustafa deklaroi se të gjitha përgatitjet, si ato ligjore edhe amendamentet kushtetuese, janë gati. Por, ngecja vjen nga mospërkrahja e disa deputetëve, pasi nevojitet përkrahja e 2/3-ave të deputetëve të Kosovës, që nënkupton që duhet të sigurohet edhe përkrahja e komuniteteve joshumicë dhe në rend të parë atyre serbë, ka thënë Mustafa. (Naim Ramadani, TVM2)
