Plenumi i Nxënësve ultimatum MASh-it: Pezulloni reformat në arsimin e mesëm

01.04.2015 17:46

Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme protestoi para kuvendit, qeverisë dhe MASh-it, duke shprehur revoltën e tyre kundër reformave në sferën e arsimit, që ata i konsiderojnë të dëmshme...

Të maskuar dhe me kartonë të verdhë ata ia dhanë vërejtjen e fundit MASh-it dhe kërkuan që të ftohen në takim,në të kundërtën do të bojkotojnë mësimin nga e premtja.

Nga ministri i Arsimit kërkojnë që në afat prej 24 orësh të plotësohen kërkesat e tyre, sepse takimi i fundit ka qenë me përfaqësues të Unionit të Shkollave të Mesme, ndërsa kërkesat e Plenumit të Nxënësve nuk janë përfillur.

“Nëse nuk ftohen përfaqësuesit e Plenumit të Shkollave të Mesme në afat prej 24 orësh, nëse reformat e imponuara nuk pezullohen dhe nëse nuk fillon dialogu i hapur, nxënësit e shkollave fillore fillojnë me bojkot aktiv derisa të përmbushen kërkesat tona”- deklaruan nga Plenumi i Nxënësve.

“Ishim dëshmitarë dje të një takimi mes Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, organizatë joaktive e cila arriti marrëveshje për kërkesat që ajo dëshironte. Ne nuk pajtohemi me këto kërkesa dhe kërkesat tona nuk janë përmbushur në tërësi”- thanë nga Plenumi i Nxënësve.

“Ne aspak nuk i përkrahim ato kërkesa. Unioni i Nxënësve realizoi takim në afat kohor prej dy ditësh, ndërsa ne kemi një muaj që protestojmë dhe kërkojmë takim, por kërkesa jonë nuk përfillet”- theksuan nga Plenumi i Nxënësve.

Plenumi i Nxënësve është decid të kthehet koncepti i vjetër i maturës shtetërore dhe të pezullohet testimi ekstern. Ndërkohë, sipas tyre, marrëveshja e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme që matematika të jetë e obligueshme vetëm për gjimnazet e drejtimit natyror shpallet si e pavlefshme, sepse vjen nga një organizatë joaktive dhe nuk përmbush kërkesat e tyre në tërësi. (Flutura Latifi, TVM2)