Bombardime në Gazë, mbi 100 palestinezë të vrarë, Izraeli: Tentuam të shpëtojmë pengjet

12.02.2024 13:58

Qindra njerëz, duke përfshirë fëmijë...

Qindra njerëz, duke përfshirë fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore jashtëzakonisht intensive në Rafah, ndërsa alarmi ndërkombëtar rritet mbi ofensivën tokësore të planifikuar të Izraelit në qytetin jugor të Gazës.
 
Më shumë se 100 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur pasi avionët luftarakë shënjestruan zona të ndryshme të qytetit dhe helikopterët bombarduan zonat kufitare.
 
Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet më tej pasi njerëzit mbeten të bllokuar nën rrënoja dhe ka ende një prani të madhe të avionëve luftarakë mbi Rafah edhe pse Izraeli tha se kjo do të jetë një zonë e sigurt.
 
"Ne ishim ulur aty dhe pa asnjë paralajmërim sulmuan me raketa zonën. Në rrugë ishin ulur të zhvendosurit, shumica e tyre ishin fëmijë. Unë desha të dal në rrugë dhe do të isha vrarë, por mirësia e Zotit më shpëtoi dhe mbeta gjallë. Ka shumë të vdekur dhe të plagosurit janë dërguar në spital. Të zhvendosurit ishin larguar nga veriu drejt jugut, me shpresën për një zonë më të sigurt.”, - tha një banor i Gazës.
 
“Na u desh të iknim tri herë nga bombardimet. U nisëm në këmbë nga Al-Magazi në Der al Balah nën bombardime të forta. Unë bashkë më fëmijët dhe gratë vrapuam. Nusja e djalit tim sapo kishte bërë operacion. Bombardimet vazhduan. Më në fund arritëm në Rafah, ku na thanë se është sigurt, por në Rafah nisën shpërthimet.”, - u shpreh Keman Jasin.
 
Pamjet e siguruara tregojnë një skenë kaotike brenda spitalit “Al Kuvajti” të Rafah, me mjekë që përpiqeshin t’ju jepnin ndihmën e parë fëmijëve të plagosur.
 
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka përsëritur thirrjen për një armëpushim, ndërsa pjesëtarët e OBSh-së përpiqen të ndihmojnë pacientët nëpër spitale.
 
“Sapo vizituam repartin e traumës, i cili ishte plotësisht i mbipopulluar. I mbipopulluar me raste traumash, por edhe me 50 raste mjekësore që ndodheshin prej ditësh dhe që duhej të mbaheshin në pavijone të tjera, por nuk kishte vend. Ne sollëm furnizime mjekësore, pajisje për trauma dhe anestetikë. Ka mungesë të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.”, - deklaroi përfaqësuesi i OBSh-së, Riçard Peperkorn.
 
Ushtria izraelite tha se qëllimi i këtij operacioni ishte shpëtimi i pengjeve izraelite. Pengjet janë 60-vjeçari Fernando Simon Marman dhe 70-vjeçari Luis Har, të cilët u rrëmbyen të dy 128 ditë më parë gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Të dy janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në një qendër mjekësore.
 
"Në orën 01:49 të mëngjesit, forcat speciale hynë në një strukturë në zemër të Rafah. Në katin e dytë atje, Luis dhe Fernando u mbajtën nga terroristët e armatosur të Hamasit, të cilët ndodheshin në ndërtesat aty pranë, që nga momenti kur filloi shkëmbimi i zjarrit në banesë. Ushtarët mbrojtën Luisin dhe Fernandon me trupat e tyre, në kohën kur filloi një betejë e guximshme, me shkëmbim të fortë zjarri në disa pika me shumë terroristë në të njëjtën kohë.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes-Izrael, Daniel Hagari.
 
Presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, një ditë më parë i bëri thirrje kryeministrit, Benjamin Netanjahu, se Izraeli nuk duhet të nisë operacionin ushtarak në Rafah pa një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë e rreth 1 milion njerëzve të strehuar atje. Agjencitë e ndihmës thonë se një sulm në Rafah do të ishte katastrofik.
 
Është vendi i fundit relativisht i sigurt në një enklavë të shkatërruar nga ofensiva ushtarake e Izraelit. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)