Në Sellcë të Tetovës vendoset gurthemeli i shkollës fillore “Rilindja”

12.02.2024 14:21

Pas 22 vitesh, më në fund është hedhur....

Pas 22 vitesh, më në fund është hedhur sot gurthemeli për ndërtimin e shkollës fillore “Rilindja” në Sellcë të Tetovës. Ndërtimi i një shkolle të re ka qenë kërkesa kryesore e banorëve të Sellcës, tani e 24 vite, por edhe premtim i çdo partie në çdo cikël zgjedhor.
 
Kryeministri Talat Xhaferi tha se investimi e kap vlerën e mbi 100 milion denarëve dhe pritet të përfundojë gjatë vitit 2025.
 

 
“Sot jemi në fshatin Sellcë dhe fillojmë me ndërtimin e objektit krejtësisht të ri për shkollën komunale “Rilindja”, që do të mundësojë kushte të denja për fëmijët e këtij vendbanimi. Fëmijët më nuk do të mësojnë në klasa të vjetra të ndërtuara në vitin 1954  dhe në kusht të këqija, por do ta vijojnë mësimin në një shkollë bashkëkohore. Projekti do të kushtojë mbi 100 milionë denarë dhe pritet ndërtimi të përfundojë gjatë vitit 2025.”, - deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
 
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, tha se ky projekt është jetik jo vetëm për ministrin, por edhe për banorët e Sellcës.
 
 
“Aq shumë sa është i rëndësishëm për ne, por është jetik për banorët e vendit, jetik për nxënësit, por gjithashtu jetik edhe për mësimdhënësit e këtij vendi. Ky projekt do të jetë simbol i përafrimit të standardeve tona, në arsim me standarde evropiane për kushte më të mira. Përveç se është objekt për arsimin fillor, do të jetë i përshtatshëm edhe për arsimin parashkollor.”, - deklaroi ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Kanë reaguar  nga Lëvizja “Besa”, ku kanë theksuar se gurthemeli i shkollës në Sellcë të Tetovës nuk është asgjë tjetër, vetëm fushatë parazgjedhore për të fituar më shumë vota.
 
“Gurthemeli i shkollës së Sellcës, nuk është asgjë tjetër, pos një gurthemel parazgjedhor për të fituar më shumë vota në zgjedhje. Qytetarët shqiptarë, por edhe banorët e Sellcës, ishin dëshmitarë se si BDI-ja i gënjeu për 20 vite dhe nuk e ndërtoi shkollën.”, thuhet në komunikatën nga Lëvizja “Besa”. 
 
Përndryshe, shkolla në Sellcë të Tetovës filloi ndërtimin në vitin 2000, por për shkak të rrëshqitjes së tokës, ky projekt u ndalua. Ndërkohë, nxënësit e kësaj shkolle vazhdojnë të mësojnë në  objektin e ndërtuar në vitin 1954 dhe pa kushte elementare. (Visar Sadiku, TVM2)