Maqedoni
Seanca e Kuvendit, deputetët fokusohen në zgjedhjet e radhës
12.02.2024 14:44
Deputetët shfrytëzuan seancën e Kuvendit ku diskutohej për emërimin e ministrave të rinj për qëllime elektorale....

Deputetët shfrytëzuan seancën e Kuvendit ku diskutohej për emërimin e ministrave të rinj për qëllime elektorale. E para ishte deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska, e cila tha se VMRO-DPMNE-ja po përgatitet për një fitore të thellë në njësinë e dytë zgjedhore.
“Në njësinë zgjedhore numër dy, ua kuptoj frustrimin, sepse do të humbni me epërsi 2/1, dhe e kuptoj se nuk është gjithçka e njëjtë si për Martin Kostovskin, as Lidija Tasevsën, as Arbër Ademit, e as të Oliver Tasovskin. Por ky frustrim po mundëson që shtetin ta lini në uzurpim, sepse nuk po organizoni zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Ju e keni vetëm një qëllim, e ai është vetëm të përçani dhe të sundoni, i njëjtë ishte rasti me Besën, me Alternativën dhe tani edhe me ASh-në.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. Deputeti Martin Kostovski tha se Fronti Evropian do të shënojë edhe një fitore, jo vetëm në njësinë e dytë zgjedhore, por edhe në nivel republikan.
“Kur të flisni për njësinë e dytë zgjedhore, ulni pak apetitet. Anketat dhe votat më të mira janë ato të cilat vinë nga vet qytetarët. Ndërsa unë mund t’u siguroj se do të kaloni shumë keq edhe njëherë në njësinë e dytë zgjedhore, sepse keni kryetar të komunave, si në Gazi Babë, Gjorçe Petrov, por tash edhe në Kumanovë, të cilët nuk dihet se cili prej tyre është më katolik se papa. Ju qëllimin e vetëm e keni që përmes zhvillimeve në ASh, ku ju e keni vulën kryesore, që ta dëmtoni koalicionin evropian, por nuk do t’ia dilni.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski.
Për përfshirjen e shumë faktorëve në zgjedhjet e 8 majit, për kryeministrin e vendit është normale.
“Për deklaratat e Vuçiqit dhe të tjerëve, ajo është në kuadër të kampanjës së përgjithshme propagandistike, e cila bëhet nga shumë faktorë të jashtëm. Dhe të gjithë këto faktorë tregojnë se gjoja janë të shqetësuar për të ardhmen e Ali Ahmetit dhe të BDI-së, por në të vërtetë janë kundër interesave të shqiptarëve këtu, por qytetarët këtë e kuptojnë. Këto janë për t’i penguar projeksione e zhvillimit të shqiptarëve dhe qëllimet, të cilat i kemi për t’i realizuar.”, - u shpreh kryeministri, Talat Xhaferi.
Edhe pse tanimë në Qeverinë teknike janë të përfshira, shumica e partive më të mëdha politike, kjo nuk ka nënkuptuar se akuzat dhe kundërakuzat ndaj njëri-tjetrit janë ndërprerë.
FITIM KRYEZIU
