Botë
Protesta në Veri, serbët protestojnë kundër ndalimit të dinarit
12.02.2024 15:05
Përfunduan protestat e serbëve lokal në Veri të Mitrovicës kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës me të cilën përjashtohet...

Përfunduan protestat e serbëve lokal në Veri të Mitrovicës kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës me të cilën përjashtohet dinari serb dhe euroja kthehet si e vetmja valutë e vlefshme në tërë territorin e Kosovës. Protestat fillimisht u thirrën nga Shoqata e Pensionistëve Serb dhe u mbajt pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, ndërsa e njëjta u përkrah edhe nga “Lista Serbe” ku në to mori pjesë edhe kryetari i ri i “Listës Serbe”, Zllatan Elek. Të gjithë së bashku kundërshtuan vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe e quajtën si i padrejtë ndaj tyre dhe kërkuan që të përdorin dinarin në Veri të Mitrovicës.
Kryeministri Albin Kurti tha se i qëndron mbrapa rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar dinarin dhe për të zbatuar euron si valutë e vetme në territorin e Kosovës. Në një intervistë për “Blomberg” të Londrës, Kurti tha se serbëve etnik do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri dhe se nuk do të ndëshkohen personat që në fillim nuk do të respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Protestat u vëzhguan nga një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të policisë së Kosovës dhe misionit paqeruajtës të NATO-s. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, përkundër kundërshtive nga serbët lokalë.
REXHEP QAMILI
