Maqedoni

Ngjitëset NMK, rrëmujë në stacionet e kontrollit teknik

12.02.2024 16:22

Në ditën e fundit të afatit ligjor ku të gjithë qytetarët e kanë për obligim t’i ndryshojnë targat e tyre të regjistrimit me mbishkrimin NMK

Në ditën e fundit të afatit ligjor ku të gjithë qytetarët e kanë për obligim t’i ndryshojnë targat e tyre të regjistrimit me mbishkrimin NMK, pothuajse në të gjitha stacionet e kontrollit teknik të vizituara nga ekipi ynë, kishte rrëmujë të madhe të qytetarëve.
 
Edhe pse targat e regjistrimit mund të ndryshohen me ngjitëse, e cila u mundësua të jetë pa pagesë, shpenzim shtesë dhe i papritur për qytetarët është ndërrimi i lejeve të qarkullimit, i cili po u kushton 990 denarë. Për t’u pajisur me ngjitëset NMK, shoferët do të detyrohen të paraqiten në stacione me veturën e tyre, për të plotësuar një kërkesë në sportelet e Ministrisë së Brendshme. Më pas, ngjitësi i tabelave të regjistrimit do të bëhet nga punonjësit e stacionit teknik.
 
“Unë erdha të ndryshoj targat, të vë ngjitësen me NMK, por nuk e kisha të paraparë që edhe Lejen e Qarkullimit do të duhet ta ndryshoj dhe të kem shpenzime shtesë prej 990 denarë dhe tani sërish duhet të pres këtu në rrëmujë për librezë të re komunikacioni, pa të nuk ka ngjitëse.”, - tha një qytetar.
 
“Përfundimisht arrita të gjej ngjitëse për veturat. Po pres këtu diku për rreth 1 orë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“T’ju them të drejtën, të premten dy herë isha të kërkoj, gjithashtu edhe të shtunën dhe sot në mëngjes, ora 7 dhe ja tani po mbaroj me këtë procedurë.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Unë vitin e kaluar kur thanë se duhet të ndryshohen targat e regjistrimit, e bëra atë. Ja sot e kisha më lehtë, mbarova shumë shpejtë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Interes i madh i qytetarëve për t’i ndryshuar tabelat e tyre të regjistrimit me ngjitëset NMK janë hasur edhe në stacionet teknike në qytete të tjera. Kujtojmë se vitin e kaluar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve për t’i ndryshuar targat e regjistrimit ishin të detyruar të paguajnë shumën mbi 2,000 denarësh.
 
FLORIJE KAMBERI