Gostivar, tentativë për vrasje

01.04.2015 19:11

Refet Jakupi, 52 vjeçar, nga Gostivari, mbrëmë rreth orës 21 ka qenë i sulmuar dhe therë me thikë pranë shtëpisë së tij...

Menjëherë pas sulmit, i njëjti është dërguar në Spitalin e Gostivarit, ku është kryer edhe intervenim kirurgjik, por për shkak të seriozitetit të plagëve dhe gjendjes së tij shëndetësore është transferuar në klinikat e qytetit të Shkupit. Në vendin e ngjarjes është kryer ekspertizë dhe po punohet në zbardhjen e rastit.

“Prokurori publik dhe ekipi nga Stacioni Policor në Gostivar kanë kryer ekspertizë të plotë, në suaza të së cilës nga oborri janë gjetur dhe marrë gjurmë për ekspertizë. Po ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit, gjetjen e motivit dhe kryerësin e veprës”- deklaroi zëdhënësi i SPB-së-Tetovë, Marjan Josifovski.

Për shkak të seriozitetit të plagëve, Jakupi për momentin është në Qendrën Urgjente në Shkup.

Ndryshe, Refet Jakupi është i punësuar në Administratën e Universitetit të Tetovës, ndërsa më herët ka qenë i angazhuar në Komunën e Gostivarit. (Florije Kamberi, TVM2)