Botë
Vrasjet e civilëve në Gazë, komuniteti ndërkombëtar, presion mbi Izraelin
13.02.2024 14:25
Pas ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, ku humbën jetën qindra civilë palestinezë...

Pas ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, ku humbën jetën qindra civilë palestinezë. ShBA-ja bën thirrje për një pauzë gjashtë-javore në luftimet midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë, si një hap drejt një armëpushimi më afatgjatë. Presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, ka shfaqur pakënaqësi kohën e fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, për shkak të shkeljes së rregullave të luftës. Megjithatë, Izraeli paralajmëroi se do të fillojë një ofensivë të re në Rafah.
“Operacioni i madh ushtarak në Rafah nuk duhet të vazhdojë pa një plan të besueshëm, një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë dhe mbështetjen për më shumë se një milion njerëz të strehuar atje. Duhet të këtë një pauzë në luftime prej të paktën gjashtë javësh, gjatë të cilave mund të punohet për të ndërtuar diçka më të qëndrueshme.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Këto deklarata Bajden i bëri pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Mbretin Abdullah të Jordanisë, i cili kërkon ndihmën e ShBA-së për të ndërprerë luftën në Gazë.
"Ne kemi nevojë për një armëpushim të qëndrueshëm. Kjo luftë duhet të përfundojë. Ne duhet të punojmë urgjentisht dhe menjëherë për të siguruar dërgimin e qëndrueshëm të ndihmës së mjaftueshme në Gazë përmes të gjitha pikave dhe mekanizmave të mundshëm të hyrjes.”, - theksoi Mbreti Abdullah i Jordanisë.
Ndërkohë senatorët amerikanë, deklaratat e Bajdenit i konsiderojnë si kontradiktore. Përplasjet pas këtij takimi në kongresin amerikan kanë vazhduar, duke e akuzuar Bajdenin për mbështetjen e konfliktit me armatim.
"Administrata e Bajden i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë Netanjahu të lejojë më shumë ndihmë humanitare në Gazë, por nga ana tjetër e furnizon me armatim Izraelin. Mesazhi kryesor i Netanjahut për ShBA-në është ky: "Faleminderit që na dhatë të gjitha armët dhe mbështetjen tuaj të taksapaguesve. Por, mos na ligjëronipër viktimat civile ose nevojën për të lehtësuar më mirë shpërndarjen e ndihmës humanitare.".”, - u shpreh senatori demokrat i ShBA-së, Kris Van Hollen.
Kritika të ngjashme për komunitetin ndërkombëtar kanë ardhur edhe nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
“Sa herë keni dëgjuar liderët dhe ministrat e jashtëm më të shquar në mbarë botën të thonë se shumë njerëz po vdesin? Pra, nëse besoni se shumë njerëz janë vrarë, ndoshta duhet të dërgoni më pak armë në Izrael për të parandaluar vrasjen e kaq shumë njerëzve.”, - theksoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Borrell theksoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, nuk dëgjon askënd, sepse refuzon të gjitha thirrjet për paqe dhe këmbëngul që Izraeli të marrë nën kontroll të gjithë Rripin e Gazës. Ndërkohë para Shtëpisë së Bardhë u mblodhën qindra njerëz për të protestuar kundër sulmit të Izraelit në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, ku u vranë 220 palestinezë gjatë 24 orëve të fundit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
