Maqedoni

Vendoset gurthemeli i qarkores së Tetovës, investim në vlerë prej 12,5 milionë euro

13.02.2024 15:02

Është hedhur gurthemeli i ndërtimit të Qarkores së Tetovës....

Është hedhur gurthemeli i ndërtimit të Qarkores  së Tetovës. Mbi 12,2 milionë euro do të jetë investimi nga Ndërmarrja “Rrugët shtetërore”, për ndërtimin e qarkores, tha sot kryeministri i vendit, Talat Xhaferi. Xhaferi tha se ndërtimi i qarkores është projekt i madh jo vetëm për Tetovën, por për të  gjithë Pollogun. Sipas tij, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka prioritet investimet në infrastrukturën rrugore.
 
“Qarkorja rreth Tetovës është një projekt i madh që do të shtrihet nga nyja Trebosh deri në Neproshten. Mjetet për këtë projekt janë siguruar nga buxheti i ndërmarrjes publike “Rrugët shtetërore” me vlerë mbi 12,2 milionë euro. Investimi në infrastrukturën rrugore është prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Realizojmë investime rekord në rrugë. Filluam me realizimin e investimit kapital më të madh në historinë e vendit tonë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.”, - deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi. 
 
Qarkorja pritet të përfundojë në maj të vitit 2025, tha drejtori, Ejup Rustemi. 
 
“Në maj të vitit 2025 kjo qarkore do të jetë e lëshuar në përdorim. Do të ndërtojmë 5,4 kilometra rrugë me gjerësi prej 6,6 metra, gjithashtu për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës do të kemi rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej tre metrash.”, - theksoi drejtori i Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë së Veriut, Ejup Rustemi.
 
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, theksoi se me këtë investim rrugor do të përshpejtohet zhvillimi ekonomik i rajonit.
 
“Ndërtimi i kësaj qarkoreje është projekt që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit, do të lehtësojë trafikun dhe do të lehtësojë qasjen e shumë kompanive që veprojnë në këtë pjesë të vendit.”, - u shpreh ministri i Transportit, Bllagoja Boçvarski.
 
Ndërkaq, ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se Maqedonia e Veriut ka kontrata aktive me institucionet ndërkombëtar për financim të infrastrukturës rrugore me vlerë prej 2,4 miliardë euro, kurse  ndërtimi i qarkores së Tetovës do t’ua shkurtojë dhe lehtësojë komunikacionin fshatrave të komunës së Tearcës, tha në fund kreu i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.
 
VISAR SADIKI