Maqedoni

KSL: Korrupsioni e nepotizmi pengojnë administratën

13.02.2024 15:33

Korrupsioni dhe nepotizmi janë faktorë kyç, të cilët ndikojnë negativisht në reformat në administratën publike...

Korrupsioni dhe nepotizmi janë faktorë kyç, të cilët ndikojnë negativisht në reformat në administratën publike, si dhe profesionalizimin e të punësuarve. Nga Konfederata e Sindikatave të Lira theksojnë se ligjet në Maqedoni nuk mungojnë, megjithatë problem ngelet implementimi i tyre në praktikë.
 
Ndikimet politike gjatë punësimeve dhe avancimeve në administratën publike pengojnë që të arsimuarit dhe ata që kanë përvojë të avancohen në detyrë, ndërsa kjo pamundëson që të kemi administratë profesioniste. Këtë e ka konstatuar hulumtimi i Konfederatës së Sindikatave të Lira, sipas të cilëve vendit nuk i duhen shumë ligje të shpeshta për të realizuar reforma, ashtu siç pretendon pushteti. Sipas tyre, digjitalizimi do të mundësonte sistemin në bazë të meritave dhe për këtë është e nevojshme të ketë vullnet politik. Më të korruptuara janë shëndetësia dhe policia.
 
“Raportet tregojnë se korrupsioni dhe nepotizmi burojnë nga personat e zgjedhur dhe emëruar dhe për shkak të kësaj ne kemi paga më të ulëta, kemi dhe probleme në vendin e punës. Një numër i të punësuarve durojnë edhe presion psikik dhe fizik. Me ndryshimet e shumta të ligjeve për administratën, viteve të fundit është krijuar në kaos total. As arsimimi dhe as karriera nuk vijnë në konsideratë, por parasysh merren ata që janë të dëgjueshëm në parti.”, - deklaroi kryetari i KSL-së, Blagoja Rallkovski.
 
“Korrupsioni në çfarëdo lloj institucioni nuk ka arsyetim. Selektimi gjatë shpërndarjes në vendet e punës, mosrespektimi i obligimeve ligjore nga eprorët dhe ndryshimi konkurseve për punë sjell kuadro joprofesionale.”, - theksoi përfaqësuesi i Sindikatës së Policisë, Bobi Dodevski.
 
“Dërgohet një mesazh negativ tek të rinjtë që do të kishin dashur të punësohen në të ardhmen në administratë, janë të dekurajuar dhe të refuzuar nga administrata publike. Nëse në administratë ka korrupsion, nepotizëm dhe joprofesionalizëm, ajo është joproduktive.”, - u shpreh profesori universitar, Llazar Jovevski.
 
Sipas profesorit Jovevski, fenomen i çuditshëm në vendin tonë është se edhe nëse ballafaqohemi me keqpërdorime dhe shkelje të të drejtave ligjore apo veprime korruptive, në vend se t’i paraqesim apo t’i kundërshtojmë, paraqet inspirim edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën.
 
FLORIJE KAMBERI