Maqedoni
Tabanoc, ulet qarkullimi i qytetarëve tanë
13.02.2024 16:24
Nga mesnata mes 12 dhe 13 shkurtit të këtij viti, në përputhje me ndryshimet e miratuara ligjore...

Nga mesnata mes 12 dhe 13 shkurtit të këtij viti, në përputhje me ndryshimet e miratuara ligjore, që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, nuk vlejnë më dokumentet për udhëtim jashtë vendit me emrin Republika e Maqedonisë, por nga sot kufirin mund ta kalojnë vetëm qytetarët të cilët posedojnë dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Aplikimi i ndryshimeve ligjore konform Marrëveshjes së Prespës, nga mesnata, ka shkaktuar reagime të shumta tek qytetarët, të cilët deri në afatin e përfundimit të vlefshmërisë së dokumenteve të vjetra, nuk kanë arritur t’i sigurojnë dokumentet e reja me emrin e shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut. Më tepër se gjysma e popullatës në RMV ende nuk i kanë siguruar pasaportat e reja, letërnjoftimet, si dhe lejet për vozitje. Ekipi i TVM 2, sot qëndroi në vendkalimin kufitar në Tabanoc, për të parë se a po ndihet mungesa e pasaportave të reja edhe në lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit. Nga ajo që regjistroi objektivi i kamerës sonë në sy bie ulja drastike e lëvizjes së qytetarëve tanë. Kryesisht vërejtëm automjete me targa të shtetit fqinjë, Serbisë dhe aty këtu ndonjë veturë me targa të vendit tonë. Hasëm vetëm disa qytetarë, të cilët shumë më herët i kishin ndërruar dokumentet e identifikimit.
“Po, i kam rregulluar dokumentet diku para dy muajve. Nuk ka pasur problem, kemi pritur për t’i marrë dokumentet e reja dy javë.”, theksoi mes tjerash një qytetar.
“Po vij prej Presheve. I kam dokumentet e reja, i rregullova qysh vitin e kaluar. Nuk kam pritur shumë për t’u pajisur me dokumente të reja.”, theksoi mes tjerash një qytetar.
Pritet të shihet ditëve në vijim se a do të ketë shtim të frekuentimit të qytetarëve tanë nëpër vendkalimet kufitare, pasi që tanimë problem nuk paraqesin vetëm pasaportat dhe letërnjoftimet, por edhe lejet për vozitje.
Të përkujtojmë se përpos pasaportave me emrin RMV, për të kaluar kufirin, sidomos në vendet fqinje, si në Serbi, Kosovë, Shqipëri e Mal të zi, nevojiten edhe letërnjoftimet e reja. Ndërkohë që letërnjoftimet e vjetra dhe lejet për vozitje për përdorim të brendshëm do të vlejnë edhe më tej.
FATLUM AQIFI
