Botë
Bajden: Serbia të bëjë kompromis me Kosovën
14.02.2024 13:48
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, e inkurajon Serbinë që të bëjë hapa përpara...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, e inkurajon Serbinë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Inkurajoj Serbinë të ecë përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromisin kur është e nevojshme, në mënyrë që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm.”, thuhet mes tjerash në një mesazh urimi dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.
Bajden në letër e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të ecë përpara me promovimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon.
“ShBA-ja mbështet fuqishëm rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi.”, ka shkruar Bajden, duke shtuar se ndërtimi i një Ballkani Perëndimor më të suksesshëm dhe më të qëndrueshëm është në interes të ShBA-së dhe Serbisë.
GYLTENE SINANI
