Gazë, Izraeli nuk heq dorë nga sulmi në Rafah

14.02.2024 13:54

Pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit....

Pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit, forcat izraelite nuk po heqin dorë nga ofensiva kundër qytetit Rafah në Gaza.
 
Nënsekretari i Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare, Martin Grifit, ka paralajmëruar se operacioni ushtarak izraelit në Rafah mund të sjell deri te masakra, prandaj apelojnë te Izraeli të ndërpresë injorimin e thirrjeve për të mos kryer sulme në Rafah.
 
Por, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, e ka përshkruar Rafahun si “bastionin e fundit” të Hamasit, me katër batalione të burrave të armatosur. Sipas tij, Izraeli nuk mund ta arrijë synimin e vet për ta asgjësuar këtë grup derisa pjesëtarët e tij nuk asgjësohen. Ndërkohë, ushtria izraelite ka publikuar një video regjistrim duke pretenduar se bëhet fjalë për liderin e Hamasit, Jahja Sinvar, në një tunel në Gaza.    
 
“Kjo video është një nga të shumtat që i kemi siguruar nga 7 tetori. Sinvar filloi luftë me Izraelin, luftë të cilën Izraeli nuk e kërkonte, luftë e cila shkaktoi humbje të mëdha edhe për palestinezët edhe për izraelitët. Derisa njerëzit në Gazë pësojnë në tokë, Sinvar fshihet në tunelet nën tokë, duke vrapuar si frikacak me njërën nga gratë e tij dhe fëmijët, ndërsa vëllai i tij e udhëheq rrugën.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari. 
 
Me gjithë angazhimin ndërkombëtar, përfshirë ShBA-në, Egjiptin dhe Katarin, bisedimet për paqe tani për tani kanë përfunduar pa rezultat. Megjithatë palët janë dakorduar që të vazhdojnë bisedimet në nivel më të ulët.
 
Ndërkohë edhe Hezbollahu ka paralajmëruar se do të ndalojë sulmet ndaj Izraelit, vetëm nëse arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës. Lideri militant Hasan Nasrallah, akuzoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të cilët kërkojnë të lehtësojnë tensionet në Libanin jugor, se u shërbejnë interesave të Izraelit. (Gyltene Sinani, TVM2)