Botë
Samiti ministror i NATO-s, Stoltenberg: Do t’i mbrojë të gjithë aleatët
14.02.2024 14:17
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s, në përgatitje për samitin e aleancës në Uashington...

Ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s, në përgatitje për samitin e aleancës në Uashington që do të mbahet në korrik. Takimi dyditor në Bruksel, në fokus përforcimin e sigurisë dhe situatën në Ukrainë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me deklaratë se nuk ka kërcënim kundër ndonjë aleati të paktit veri-atlantik, por megjithatë paqja nuk duhet marrë si e mirëqenë.
“Në samitin e vitit të kaluar në Vilnus, ne morëm vendime të mëdha për të përforcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen tonë. Tani ne po i vëmë në veprim këto plane. Kjo kërkon shumë investim. Në vitin 2024, aleatët e NATO-s në Evropë do të investojnë një shumë prej 380 miliardë dollarësh amerikanë në mbrojtje. Për herë të parë, kjo po arrin 2% të BPB-së së tyre të kombinuar. Ne kurrë nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë, por nuk ka asnjë kërcënim të afërt ushtarak kundër ndonjë aleati të NATO-s.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Aleanca veri-atlantike diskuton çështjen e Ukrainës. Nënvizohet ndihma që ky vend i sulmuar nga Rusia t’i afrohet standardeve të NATO-s në çdo aspekt. Stoltenberg mirëpret vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për një pako të madhe ndihme, i cili njëherit pret ndjekjen e shpejtë edhe nga ana e Kongresit Amerikan.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
