Micevski: Në KShZ lirohet vend për opozitën shqiptare
14.02.2024 14:49
Koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së...

Koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, ka njoftuar për tërheqjen e njërit nga kandidatët për anëtarë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Kjo hap mundësitë që Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve ta zgjedhë anëtarin e shtatë të KShZ-së. Me këtë, siç thotë, tejkalohet problemi me vendin e zbrazët në KShZ, të cilin duhet ta plotësojë një anëtar i opozitës shqiptare.
“Një nga kandidatët dje i ka tërhequr dokumentet, kështu që janë të hapura mundësitë që në Komision të sjellim vendim dhe t’i dërgojmë në seancë plenare material në bazë të së cilit njëri kandidat, Abdul Demiri, do të jetë kandidat për plotësimin e pozitës në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Zgjedhja bëhet me 2/3 e votave dhe shpresoj se në afat do të arrijmë ta plotësojmë KShZ-në.”, - deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
I pyetur nëse në partinë e tij tashmë dihen kandidatët për deputetë dhe bartësit e listave për deputetë në njësitë zgjedhore, Micevski u përgjigj se në rrjedhë janë konsultimet brendapartiake dhe anketat me qytetarë dhe se pas përfundimit të të gjitha hulumtimeve të mendimit publik do të dalin me propozim drejtuar Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv.
Aktualisht vetëm partia e Majta ka paraqitur kandidatin për president për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë paralajmëruar se së shpejti do të shpallin emrin e kandidatit për president që do të garojë për zgjedhjet presidenciale. (Florije Kamberi, TVM2)
