Maqedoni

Qeveria, falas patentë shoferët dhe lejet e qarkullimit, Qytetarët: Ndjehemi të diskriminuar

14.02.2024 15:05

Qeveria mori vendim që mundëson ndërrimin falas të patentë shoferëve dhe lejeve për qarkullim...

Qeveria mori vendim që mundëson ndërrimin falas të patentë shoferëve dhe lejeve për qarkullim për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë dokumentet me emrin Republika e Maqedonisë do te jenë të vlefshme vetëm për përdorim të brendshëm. Qytetarët të cilët kanë paguar për të ndërruar dokumente me afat ndjehen të diskriminuar pas vendimit të Qeverisë që qytetarët pa pagesë të marrin si lejet e qarkullimit dhe patentë shoferët. 
 
“Ata që kanë paguar Qeveria duhet t’i kompensojë, sepse nuk është faji i tyre.”, - tha një qytetare.
 
“Unë e bëra pagesën. Tani kam dy leje dhe mendoj që duhet të kompensohemi.”, - tha një qytetar.
 
“Nuk e di se çfarë duhet bërë. Është e kotë dhe nuk kam çfarë të them se a jam apo jo i diskriminuar.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi: Po bëhet trajtim jo i barabartë
 
Edhe Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi konsideron se po bëhet trajtim jo i barabartë i qytetarëve, që kanë ndryshuar dokumente të vlefshme me emrin e ri dhe deri tani kanë paguar për to.
 
“Në këtë rast nuk është bazë diskriminuese, ka trajtim të pabarabartë, por jo diskriminim. Institucionet duhet të marrin masa që të sigurojnë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët në procedurat për ndryshimin e dokumenteve të vlefshme me emrin e ri të shtetit.”, thuhet në komunikatën e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi. 
 
Transportuesit për import të mallrave kanë paralajmëruar se transporti mund të ndalet, për shkak se disa prej tyre nuk janë pajisur me dokumentet me emrin e ri te shtetit. Zëvendëskryeministri Bytyqi thotë se nuk ka pasur një kërkesë të tillë, por që Qeveria është e gatshme të ndihmojë në këtë aspekt.
 
“Nuk kemi një kërkesë të tille. E di që kemi biseduar me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve dhe nuk ka ndonjë pengesë serioze. Mund të ketë përjashtime që nuk janë të pajisur me dokumente të reja. Kemi thënë që jemi në gjendje për t’u dalë në ndihmë nëse është e nevojshme si sektori privat, ashtu dhe shtetëror.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Rrëmujë dhe pengesa ka dhe në pikat e kontrollit, ku qytetarët duhet të vendosin ngjitëset me mbishkrimin “NMK”. 
 
“Nuk ka. Duhet që nesër të vij sërish.”, - tha një qytetar.
 
“Duhet që të paguhet 1,300 denarë për lejen e qarkullimit.”, - tha një qytetar tjetër. 
 
“Informacioni që lejet e qarkullimit dhe patentë shoferët janë pa pagesë, sërish po paguhen. Pagova 1,136 denarë.”, - u shpreh një qytetar. 
 
“Nuk e di cili është qëllimi. A duhet patjetër që qytetarët të paguajnë me çdo kusht? Ngjitëse nuk ka!”, - u shpreh një qytetare. 
 
Qeveria ka obliguar dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme që qytetarët jashtë vendit t’u shërbejë në nxjerrjen e dokumenteve të reja në të gjitha pikat konsullore. 
 
GAZMEND REXHEPI