Maqedoni

Ndërpritet bojkoti i mësimit në Çashkë, marrëveshje për ndërtimin e një shkolle të re

14.02.2024 15:27

Pas disa muajsh ndërprerjeje, ka filluar mësimi në shkollën fillore “Todor Janev” në komunën e Çashkës...

Pas disa muajsh ndërprerjeje, ka filluar mësimi në shkollën fillore “Todor Janev” në komunën e Çashkës, ku po pengohej fillimi i mësimit në gjuhën shqipe. Por, duket se përfundimisht problemi është zgjidhur, me marrëveshjen e nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, komunës së Çashkës dhe Këshillit të prindërve.
 
“Pas asaj marrëveshjeje, sipas neneve që ekzistojnë në të, secila palë ka detyrimet e veta. Pala jonë kishte një detyrim të vetëm që duhej të përmbushet dhe ky është “Ndërprerja e bojkotit”, që fëmijët t’i kthehen normalisht mësimit dhe siç po e shihni, procesi mësimor është duke rrjedhur normalisht dhe gjithçka është në rendin më të mirë të mundshëm. Me këtë marrëveshje është sjellë vendim, që të ndërtohet një shkollë e re montazh, në një lokacion ku do të zgjidhet nga palët.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit të prindërve, Cveta Peshovska.
 
Shkolla e re montazh, sipas marrëveshjes duhet të përfundojë deri në fund të pushimeve verore, që fëmijët të fillojnë mësimin aty. Ministria e Ekonomisë ka ndarë mjete shtesë për këtë projekt. Ndërsa Ministria e Arsimit njofton për emërime të reja.
 
“Është marrë vendim për themelimin e një shkolle të re fillore në Çashkë, një zgjidhje të cilën e kanë kërkuar vetë banorët. Ne si Qeveri vendosëm që të ndajmë financa shtesë dhe besoj se njëherë e përgjithmonë do ta zgjidhim të drejtën kushtetuese që i garanton çdo fëmije mundësinë për të mësuar gjuhën që flet.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. 
 
“Ajo që ishte në pjesën e marrjes së ingerencave për një shkollë, është bërë një marrëveshje me kryetarin e komunës së Çashkës, me ministrin e Arsimit, me Qeverinë. Ingerencat të kthehen, të emërohet një drejtor i ri dhe të përmbushen kushtet në përputhje me ligjin për funksionim normal të procesit mësimor në normalitet.”, - u shpreh sekretari shtetëror në MASh, Biljana Kazanxhiska. 
 
Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut garanton të drejtën e arsimit fillor dhe të mesëm në gjuhën amtare. Mësimi në këto dy cikle mësimore është i obligueshëm dhe kushdo që e pengon zbatimin e kësaj të drejte përballet me sanksione, përfshirë edhe prindin e fëmijës, nëse nuk e dërgon atë në shkollë. Lidhur me këtë problem ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili ka konstatuar se në këtë vendbanim është shkelur Kushtetuta, si garantuese e mësimit në gjuhën amtare për çdo shtetas të Maqedonisë së Veriut.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU