Maqedoni
Ligji për lojërat e fatit, Pendarovski vendosi të mos e nënshkruajë
14.02.2024 16:16
Siguroni 61 deputetë dhe votoni ligjin për lojërat e fatit, sot e nënshkruaj, kjo ishte përgjigjja e kryetarit të shtetit...

Siguroni 61 deputetë dhe votoni ligjin për lojërat e fatit, sot e nënshkruaj, kjo ishte përgjigjja e kryetarit të shtetit, Stevo Pendarovski, kur u pyet se pse e refuzoi të nënshkruaj ligjin për lojërat e fatit. Pendarovski më tej shtoi se nuk e konteston ligjin, mirëpo vlerëson se mënyra e sjelljes së ligjit është joadekuate, pasi sipas Pendarovskit, kur të përdoret flamuri evropian, duhet të ketë direktivë precize që kur është sjellë, dhe në këtë rast e njëjta mungon. Pendarovski deklaroi se për këtë çështje e ka vizituar euroambasadori, Dejvid Gir.
“Pas vendimit tim të djeshëm nuk mund të hyjë me flamur evropian, duhet të shkojë në procedurë të rregullt, ndërsa çfarë do të ndodhë, ashtu siç thotë Kushtetuta, nëse sot e miratojnë me 61 vota, sot do ta nënshkruaj. Para disa ditëve erdhi te unë euroambasadori Gir dhe thotë kjo është edhe një keqpërdorim në seri e flamurit evropian. Do të thotë askush nuk e konteston nëse ligji është i mirë apo i keq, thotë nuk duhet të keqpërdoret flamuri evropian. Nëse duam të shkojmë në BE, duhet që para se të bëhemi anëtar, të sillemi si evropianë të vërtetë, thotë kjo është në mënyrë ballkanike.”, - deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Lëvizja Antibixhoz i reagon presidentit
Kanë reaguar edhe nga Lëvizja Antibixhoz, të cilët përmes një komunikate me shkrim, thanë se ndjehen të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga veprimet e presidentit.
“Jemi totalisht të zhgënjyer, ndjehemi të tradhtuar nga veprimi juaj për mosdekretimin e propozim-ligjit për lojërat e fatit, duke mbrojtur krimin dhe kriminelët, duke lejuar ngufatje nga epshi i krimit dhe vjedhjen klasike që i bëhet qytetarit. Me veprimin tuaj, gjoja keqpërdorimin e flamurit evropian ju e legalizuat pastrimin e parave të pista dhe ne emër të standardeve evropiane mbroni kapitale të dyshimta, të cilët e kanë zaptuar vendin tonë.”, - thuhet në komunikatën me shkrim nga LAB-i.
BDI: Pendarovski nuk veproi drejtë
Reagim ka pasur edhe nga BDI-ja, sipas së cilës Pendarovski nuk ka vepruar drejt, duke hedhur në kosh të plehrave ligjin për lojërat e fatit dhe sipas BDI-së, Pendarovski doli në përkrahje të bastoreve dhe kazinove.
“Besimin e deputetëve dhe qytetarëve që e mbështetën atë, si dhe gjithë këtë betejë për largim të kazinove dhe bastoreve nga shkollat dhe fëmijët tanë, për dyfishim të tatimeve dhe rritje të hyrave buxhetore dhe vështirësim të procedurave për hapje dhe zgjerim të industrisë, Pendarovski e hodhi në shportën e plehrave, zgjodhi anën e bastoreve dhe kazinove. Arsyetimin se qenka “keqpërdorur” flamuri evropian për miratimin e ligjit është përrallë pasdarke, imagjinoni, s’paska pasur vërejtje për përmbajtjen, por për procedurën.”, thuhet në komunikatën me shkrim nga BDI-ja.
Nuk dorëzohemi nga kjo betejë dhe jemi të bindur se të gjithë deputetët me ndërgjegje të pastër janë në kundër bastoreve dhe kazinove. Kujtojmë se ligji për lojërat e fatit u soll në Kuvend më 7 shkurt dhe mori përkrahjen e 55 kuvendarëve të vendit.
VISAR SADIKI
