Maqedoni

Problemi me dokumentet e udhëtimit, prioritet për personat me probleme shëndetësore

14.02.2024 17:07

Dokumentet e udhëtimit me emrin e ri kushtetues sjellin probleme për personat që duhet të bëjnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit...

Dokumentet e udhëtimit me emrin e ri kushtetues sjellin probleme për personat që duhet të bëjnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit. Po ashtu me këtë sfidë ballafaqohen edhe ata që janë të sëmurë dhe duhet të shkojnë për kontroll. Shoqata e Diabetikëve tashmë disa herë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku kanë paraqitur kundërshtim për kontrollin e brendshëm dhe janë ende në pritje të përgjigjes.
 
“Ka raste kur një pjesë e madhe prej qytetarëve nuk mund të ballafaqohen me çështjen e vizave, sepse ato ngelen në dokumentin e vjetër të udhëtimit, që sipas ligjit është jo valide.”, - theksoi Dime Velev nga Shoqata e Diabetikëve.
 
Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka kontaktuar Ministrinë e Brendshme. Ky dikaster me përgjigje se po shqyrtojnë këto probleme të pacientëve. Për fat të keq, ata janë përgjegjës vetëm për përcaktimin e nevojës reale për trajtimin e pacientëve, megjithatë ata duan të ndihmojnë të siguruarit e tyre, thonë nga fondi shëndetësor.
 
“Fondi si institucion me përgjegjësi shoqërore që kujdeset  për të siguruarit e saj, gjatë ditës së sotme është drejtuar deri tek Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim që t’u japë prioritet dhënies së dokumenteve të udhëtimit  personave që për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duhet të udhëtojnë jashtë shtetit.”, - u shpreh Irfan Limani  nga Fondi Shëndetësor. 
 
Shoqata e diabetikëve thotë se qytetarët të cilët kanë probleme urgjente shëndetësore shpresojnë se MPB-ja do t’i vendosë në pozitë prioritare për nxjerrjen e dokumenteve të reja me emrin kushtetues të vendit.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI