Maqedoni

Mitreski shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

14.02.2024 17:56

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, shpalli për 24 prill rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale...

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, shpalli për 24 prill rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe për 8 maj rrethin e dytë të presidencialeve dhe zgjedhjeve parlamentare.
 
“Në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese dhe afatet e parapara kushtetuese, i nënshkrova vendimet për shpalljen e zgjedhjeve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për deputet në Kuvend. Siç dihet, rrethi i parë i zgjedhjeve të shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill 2024, ndërsa rrethi i dytë për president do të jetë në ditën e njëjtë me votimin të zgjedhjeve të 11 parlamentare, përkatësisht 8 maj. Në përputhje me Kodin Zgjedhor, afatet për realizimin e veprimeve zgjedhore fillojnë të rrjedhin nga dita e shpalljes në gazetën zyrtare. Besoj se në periudhën parazgjedhore që pason, të gjitha institucionet kompetente, por edhe të gjitha subjektet e involvuara do të japin kontributin e tyre për proces korrekt zgjedhor, në nivelin që e meriton një shtet demokratik, anëtar i NATO-s, shtet që e ecën rrugën e anëtarësimit të plotë në BE.  Republika e Maqedonisë së Veriut në proceset e fundit zgjedhore ka dëshmuar se posedon kapacitet të organizojë zgjedhje demokratike në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet. Si shtet kemi vendosur standarde, të cilat patjetër duhet vetëm t’i ndërtojmë dhe mbindërtojmë dhe në asnjë rast nuk guxojmë të kthehemi prapa. Votimi në zgjedhje, përkatësisht mundësia që qytetarët nëpërmjet fletës së votimit ta thonë qëndrimin e tyre është akt i lartë i demokracisë. Kjo është mundësi që qytetarët me votën e tyre ta caktojnë ardhmërinë e tyre. Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje qytetarët do ta bëjnë zgjedhjen e vërtetë dhe do të zgjedhin ardhmërinë që e dëshirojmë dhe siç e meriton shteti ynë.”, - ka theksuar kryeparlamentari, Mitreski.