Botë

Intensifikohen luftimet në Jemen, rrugët në Aden të mbushura me trupa pajetë

02.04.2015 15:34

Luftimet në qytetin e Adenit, në Jemen, janë intensifikuar teksa rebelët e etnisë huthi përpiqen të marrin nën kontroll bastionin e qeverisë...

Shqetësimet po rriten edhe për sa i përket numrit të viktimave të regjistruara në përplasjet mes milicisë lokale dhe forcave rebele.
 
Dëshmitarë nga qyteti kanë raportuar për trupa të pajetë që shtrihen rrugëve, pasi agresorët sulmuan me bomba dhe snajper banorët.
 
Luftimet e ashpra kanë vazhduar pavarësisht sulmeve ajrore të kryera në 7 ditët e fundit nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.
 
Në portin e qytetit kanë mbërritur luftëtarë të huaj. Tanket e rebelëve po hyjnë në qendër të qytetit-port dhe nëse kjo konfirmohet, atëherë rebelët do të konsolidojnë zaptimin e tyre të zonës më të rëndësishme të Jemenit. 
 
Teksa luftimet vazhdojnë, civilët kanë qenë në qendër të shqetësimeve. Spitali në Aden kishte pranuar mbi 500 persona të lënduar nga të gjitha anët e vendit në dy javë konflikt. 
 
Ndërkohë, luftëtarë të “Al Kaedës” kanë sulmuar një burg, duke liruar rreth 200 të burgosur, disa prej të cilëve të lidhur me rrjetin terrorist.