Botë

Kenia, sulmohet universiteti, 15 të vrarë, merren peng studentët

02.04.2015 15:34

Persona të armatosur kanë sulmuar një universitet në verilindje të Kenias, në afërsi të kufirit me Somalinë, duke vrarë 15 persona dhe duke marrë peng shumë studentë...

Nga sulmi, në Universitetin e Garisës të paktën 65 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa nuk dihet fati i rreth 500 studentëve të tjerë.
 
Ndërkohë, trupat zyrtarë të sigurisë kanë rrethuar ndërtesën dhe po negociojnë me agresorët. Dëshmitarët kanë folur për një sulm që nuk ka kursyer askënd dhe ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet. Nga të dhënat e para rezulton që agresorët ndaj universitetit të jenë 5 vetë.  
 
Ndërkohë, Kryqi i Kuq kenian njoftoi se 50 studentë janë liruar, por një numër ende i pacaktuar të tjerësh mbahen peng.
 
Militantët islamikë të “Al Shabab” nga Somalia kanë sulmuar rregullisht Kenian. Garisa dhe zona të tjera kufitare kanë qenë shpeshherë në shënjestër.  
 
Forcat e sigurisë aktualisht po punojnë që të neutralizojnë agresorët e armatosur, thuhet në një njoftim të autoriteteve në rrjetet sociale, ku u bëhet thirrje banorëve që të qëndrojnë larg zonës.