Maqedoni

Ivanovi në Tiranë: të rrisim më tej bashkëpunimin ekonomik

02.04.2015 15:58

Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, rritja e shkëmbimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë...

Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, rritja e shkëmbimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe të drejtat e maqedonasve në Shqipëri kanë qenë në thelb të takimit të zhvilluar në Tiranë mes presidentëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Bujar Nishanit dhe Gjorge Ivanovit.
 
Presidenti shqiptar, Nishani, ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, por  ka bërë thirrje për më shumë maturi ndaj ngjarjeve që, ndonëse të vogla, sipas tij, por që nxisin tensione. Presidenti Ivanov kërkon rritjen e shkëmbimit ekonomik që, sipas tij, nuk është në nivelet e duhura.
 
“Presidenti Nishani ka një ftesë për të vizituar Maqedoninë dhe ne i përkushtohemi intensifikimit të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë. Por, ka diçka për të cilën s’mund të jemi të kënaqur. Nga takimi shtetëror i kaluar, në vitin 2012 e deri më sot kemi një bashkëpunim ekonomik, por ai nuk mund të jetë në këtë nivel që është. Ndaj, marrëdhëniet e mira duhet të kthehen në një bashkëpunim ekonomik më të lartë. Besoj se investimet e mëdha në infrastrukturë do të ndikojnë edhe më shumë në bashkëpunimin tonë”- deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Takimet në Tiranë Ivanovi i ka vijuar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe kreun e kuvendit, Ilir Meta, me të cilët ndau idenë e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve.
 
LULJETA NDOKA