Rusia me sulm masiv në Ukrainë, shpallet alarm në të gjithë vendin
15.02.2024 13:56
Rusia ka nisur një sulm të ri raketor në Ukrainë...

Rusia ka nisur një sulm të ri raketor në Ukrainë, duke shpallur alarm në të gjithë vendin. Nga shpërthimet e shumëfishta janë vrarë dhe plagosur civilë në pjesë të ndryshme, është e qëlluar infrastruktura, ndërsa janë dëmtuar edhe objekte banimi dhe biznesi. Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës zmbrapsën sulmet ajrore edhe në Kiev.
Nga ana tjetër, forcat ruse raportuan për një zjarr në një magazinë nafte në rajonin e Kursk, pasi u godit nga një dron ukrainas.
“Janë konfirmuar pesë persona të lënduar dhe dy të vdekur. Njerëzit janë nën rrënoja. Gjatë sulmit u përdorën Raketat S-300 .", - deklaroi kreu i Prokurorisë në Kupjansk, Eduard Mirgorodski.
“Është qëlluar objekti i infrastrukturës kritike. Vala goditëse ka dëmtuar 19 shtëpi. Dy shkolla dhe një kopsht fëmijësh janë të okupuara.", - theksoi kryetari i komunës së LVIV, Andrij Sadovi.
Derisa luftimet vazhdojnë, ministrat e mbrojtjes të NATO-s takohen në Bruksel në përgatitje për samitin e aleancës në korrik në Uashington. Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg, theksoi se me ndihmën e aleatëve, ukrainasit rimorën gjysmën e territorit që u pushtua nga Rusia.
“Ne e shohim mbështetjen tonë duke bërë një ndryshim në fushën e betejës çdo ditë. Vetëm dje, ukrainasit arritën të sulmojnë me sukses një anije të marinës ruse. Është e rëndësishme të sigurohemi që Ukraina të marrë armët, furnizimet, municionet që i nevojiten. Ne duhet të rrisim prodhimin.”, - u shpreh sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Duhet të sigurohemi që Ukraina të marrë atë që i nevojitet për të fituar këtë luftë. Ne duhet të sigurojmë që të gjitha kombet e civilizuara të jenë të përgatitura të qëndrojnë pas Ukrainës, ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë dhe para fillimit të kësaj ofensive.”, - theksoi sekretari i shtetit për Mbrojtjen në Mbretërinë e Bashkuar, Grant Shapps.
Presidenti rus Putin ka akuzuar liderët perëndimorë për shtrembërimin e komenteve të tij në lidhje me arsyet e operacionit special të Rusisë, të dhëna gjatë një interviste me gazetarin amerikan, Tuker Karlson.
“Siç thashë, ne nuk e filluam luftën, ne thjesht po përpiqemi ta ndalojmë atë. Në fazën e parë, ne u përpoqëm ta bënim atë me mjete paqësore, përmes marrëveshjeve të Minskut. E vetmja gjë për të cilën mund të pendohemi është se nuk i kemi filluar aktivitetet tona më herët, duke besuar se kemi të bëjmë me njerëz të denjë.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Rusia nisi një pushtim të Ukrainës më 24 shkurt 2022, pas vendosjes së trupave në kufijtë e Ukrainës për disa javë. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)
