Kocevski në krye të Prokurorisë: Do të jemi transparent, do të ketë llogaridhënie
15.02.2024 14:53
Në betimin para kryetarit të Kuvendit, kryeprokurori Lupço Kocevski...

Në betimin para kryetarit të Kuvendit, kryeprokurori Lupço Kocevski, premtoi se në fokusin e punës së tij do të jetë transparenca, që do ta nxisë llogaridhënien, efikasitetin dhe përgjegjësinë e prokurorëve publikë. Do të punojë në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe do ta luftojë korrupsionin.
Theksoi se nga shefat e prokurorive do të kërkojë që më së paku dy herë brenda vitit të japin llogaridhënie për të gjitha rastet, që janë për interes për opinionin dhe t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve të gazetarëve.
U zotua se Prokuroria Publike do të formojë lëndë për të gjitha denoncimet që do të argumentohen me prova të mjaftueshme. I pyetur nëse do të ndërmarrë diçka për të hapur lëndë për vonesat që po shkaktohen në marrjen e dokumenteve personale për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit, Kocevski nuk dha detaje konkrete, por u shpreh se lënda do të hapet për çdo denoncim që arrin në Prokurori, qoftë edhe me të dëgjuar dhe se nuk do të ketë selektivitet në punën e Prokurorisë.
“Për çdo gjë Prokuroria Publike do të formojë lëndë për të gjitha denoncimet, për të gjitha ato që me të dëgjuar do të arrijnë deri te prokurori publik dhe nuk do të ketë asnjë lloj selektimi në lidhje me ndjekjen eventuale të kryerësve të veprave penale. Besoni se për çdokënd, nëse ka mjaftueshëm dëshmi, Prokuroria Publike do të nisë procedurë.”, - theksoi kryeprokurori, Lupço Kocevski.
Dokumentet personale, VMRO-DPMNE-ja padit Oliver Spasovskin
Ndërkohë, sa i përket problemeve me nxjerrjen e dokumenteve personale, VMRO-DPMNE-ja ka ngritur padi penale për ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke e akuzuar atë si përgjegjës direkt për kaosin e shkaktuar me dokumentet personale.
“Oliver Spasovski, i cili, siç thashë, në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, për një periudhë për rreth 2 vite e gjysmë, ka dhënë dokumente personale të cilat i dinte dhe ishte i vetëdijshëm se vlefshmëria e tyre nuk do të zgjaste sa ishte e shënuar në dokumente, por që vlefshmëria e tyre do të përfundojë më datë 12.02.2024. Ai ka bërë keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare dhe punë të pandërgjegjshme.”, - u shpreh Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO në mungesë të zgjidhjes, ngriti padi
Ndërkohë nga LSDM-ja theksojnë se duke qenë se VMRO-DPMNE-ja nuk mund të japë zgjidhje për dokumentet personale, ngre kallëzime penale të motivuara politikisht.
"Prej muajsh në shtypin partiak nga Pallati i Bardhë, DPMNE-ja pretendonte se e kishin zgjidhjen dhe se do ta zgjidhnin problemin me dokumentet personale, pasaportat dhe patentë shoferët. Në vend të zgjidhjes, ministri i DPMNE-së në Qeverinë teknike krijoi kaos shtesë, tentoi të krijojë panik te qytetarët duke shpallur gjoba dhe e ndërlikoi procesin e lëshimit të pasaportave. Meqë rezultoi se DPMNE-ja nuk mund të japë zgjidhje, por vetëm i ndërlikon punët me dokumente personale, sot ngriti kallëzime penale të motivuara politikisht.", thonë nga LSDM.
Padia penale ndaj Spasovskit, nuk ka të bëjë as me ligjin, as me procesin dhe as me interesin e qytetarëve, theksojnë nga LSDM. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE apelojnë dhe presim që kryeprokurori i sapozgjedhur të tregojë se është profesionist dhe siç thonë jo dorë e zgjatur e Qeverisë në largim.
FLORIJE KAMBERI
