Maqedoni

Kandidaturat për president, Taravari, kandidat i opozitës shqiptare, Partitë tjera ende me përllogaritje

15.02.2024 16:19

Me propozim të kryesisë së Aleancës për Shqiptarët dhe me mbështetjen e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim...

Me propozim të kryesisë së Aleancës për Shqiptarët dhe me mbështetjen e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim, kryetari i ASh-së Arben Taravari, zyrtarisht është kandidat i opozitës shqiptare për zgjedhjet presidenciale.
 
Gjatë promovimit të kandidaturës së tij, Taravari theksoi pritjen e tij për mbështetje nga të gjithë qytetarët dhe partitë politike, ndërkaq pret të krijohet një mundësi që do t’ia hapte rrugën bashkëjetesës dhe harmonisë në shoqëri.
 
“Me propozim të kryesisë së Aleancës për Shqiptarët dhe mbështetjen e Lëvizjes Evropiane për Ndryshim, sot para jush prezantohem si kandidat për president të vendit. Është privilegj të kem besimin e kaq shumë faktorëve, është përgjegjësi të jem i zgjedhur dhe i besuari i tyre. Është mision të jemi zëri i juaj. Ne kemi mundësinë që diversitetin e vendit tonë ta shndërrojmë në artin e bashkëjetesës dhe harmonisë. Me respekt reciprok do të mund të kthehemi në ëndrrën që të gjithë të mund ta kemi dhe ta realizojmë. Pres me respekt votën e çdonjërit prej jush.”, - deklaroi kandidati i opozitës shqiptare për president, Arben Taravari.
 
Ndërkohë nga BDI-ja ende pa vendim zyrtar nëse në zgjedhjet presidenciale ky subjekt politik do të dalë me kandidatin e vet apo do të mbështesë kandidat të ndonjë partie tjetër. Ndërkohë nga Lidhja Social Demokrate thonë se emri i kandidatit të tyre për president do ta bëhet i njohur këto ditë.
 
Kandidaturat është duke i shqyrtuar edhe VMRO DPMNE-ja e opozitës, por pa saktësuar emra konkretë. Kandidatin e saj  për zgjedhje presidenciale e ka promovuar  partia e Majta, konkretisht profesoreshën, Biljana Vankovska. Sipas përllogaritjeve  të KShZ-së, 20 marsi është afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave për president, pra 35 ditë para mbajtjeve të zgjedhjeve presidenciale. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU