Botë
Blinken viziton për herë të parë Shqipërinë, Rama i uron mirëseardhje
15.02.2024 17:03
Ashtu siç ishte parashikuar, Blinken është pritur në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nga ministri i Jashtëm...

Ashtu siç ishte parashikuar, Blinken është pritur në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe trupa diplomatike ambasadës së ShBA-së. Blinken është shoqëruar edhe nga ish-ambasadorja e ShBA-së në Tiranë, Juri Kim.
Në një postim në rrjetet sociale, Hasani theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik të Shqipërisë me ShBA-në, që sipas tij vetëm po forcohet. Me vizitën e Blinkenit në Shqipëri, ai bëhet sekretari i 6-të i shtetit që shkel në tokën shqiptare.
Blinken do të ketë takime me presidentin, Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës. Gjithashtu do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës.
Vizitën, Blinken do ta përmbyllë me një konferencë për mediat me kryeministrin, Edi Rama, në orën 18:10. Sipas Ramës, vizita e Blinken konfirmon se Shqipëria është ngritur në një tjetër nivel sa i takon pozicionimit në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi edhe faktin që Shqipëria shihet si një faktor stabiliteti në rajon i hapur për bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje. Sekretari i Shtetit pritet të takojë edhe kreun e SPAK-ut në një kohë kur Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit.
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit për marrëdhëniet me Shqipërinë, thuhet se dy vendet janë partnerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Vizita e Blinkenit shihet e rëndësishme edhe në kontekstin e dhënies së një mesazhi antikorrupsion, pasi ai ka qenë personi që firmosi shpalljen non grata të Sali Berishës, tanimë në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit. Me rastin e vizitës së sekretarit amerikan, Tirana është veshur me flamujt amerikanë, ndërsa është blinduar nga forcat speciale për të garantuar sigurinë e tij.
LULJETA NDOKA
