Maqedoni
Putni dhe Mexhiti, lexuan bashkë me nxënësit e Sh. F. “Vasill Gllavinov”
02.04.2015 16:23
Me qëllim të nxitjes së fëmijëve për lexim, zëvendësambasadori amerikan, Barton Putni, dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti...

Me qëllim të nxitjes së fëmijëve për lexim, zëvendësambasadori amerikan, Barton Putni, dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, kanë lexuar sot një libër të preferuar për fëmijët bashkë me nxënësit e Shkollës Fillore “Vasill Gllavinv” në Çair të Shkupit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit të USAID-it “Leximi ju bën udhëheqës”, me të cilin synohet përmirësimi i vlerësimit të aftësive gjuhësore, matematikore të nxënësve të klasave të ulëta, prandaj edhe aktiviteti i sotëm ishte titulluar “Leximi dhe matematika janë zbavitëse”.
“Këtu jemi të theksojmë rëndësinë e shkrim-leximit fillestar, sepse kjo është bazë për të gjitha aftësitë gjuhësore dhe matematikore në jetë për një fëmijë, për një nxënës. Dhe të gjithë ne, qoftë arsimtarë, apo prindër, apo pjesëmarrës tjerë në shoqëri kemi luajtur rol konkret në jetën e fëmijëve”- deklaroi zëvendësmbasadori i SHBA-ve, Barton Putini.
“Fokusi vendoset mbi leximin, që të rritet ndjenja tek fëmijët, që libri të jetë sa më afër tek ata, sepse vetëm nëpërmjet leximit ata do të mund të jenë më të aftë dhe nesër mund të jenë udhëheqës”- tha kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.
Projektet e këtilla korrespondojnë edhe me projektet e Komunës së Çairit, theksoi Mexhiti, pasi këtyre ditëve komuna dhe Lidhja e Arsimtarëve realizojnë garat në gjuhën shqipe, që kanë përfunduar në nivel të komunave dhe mbetet të realizohen në nivel republikan. Projekti është mirëpritur si nga nxënësit ashtu edhe nga udhëheqësia e shkollës.
“Shkolla jonë është shkolla e 62-të në nivel të republikës, që është projekt i USAID-it “Leximi dhe matematika ju bën zbavitës”, me lexim deri te lideri, ashtu që jemi të privilegjuar që në shkollën tonë ishin sot zëvendësambasadori, Barton Putni, dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti”- tha drejtori i SH. F. “Vasill Gllavinov”, Qamuran Kuçi.
Projekti zbatohet në 62 shkolla të vendit nga ana e Fondacionit për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi”, me mjete të siguruara nga Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-ve, USAID.
GYLTENE SINANI
