Maqedoni
“Dita botërore e autizmit”, mungojnë kushtet në shkolla për fëmijët me autizëm
02.04.2015 16:25
Një grup i prindërve kanë kërkuan nga Zyra e Avokatit të Popullit të largojnë një fëmijë me autizëm nga klasa e shkollës ku mësonte bashkë me fëmijët e tjerë...

Ky është vetëm një nga shumë rastet të cilat vërtetojnë gjendjen e rënd të fëmijëve me autizëm në Maqedoni, thonë nga Institucioni i Avokatit të Popullit me rastin e 2 prillit, “Ditës së fëmijëve me autizëm”. Njëherit u theksua se trajtimi arsimor, shëndetësor dhe social është në nivel shumë të ulët.
“Ishte dëshpëruese kur vitin e kaluar një grup i prindërve dorëzoi peticion dhe kërkuan të intervenojmë që një fëmijë me autizëm të largohet nga shkolla. Sa i përket kushteve që ofrohen në shkollat fillore, mund të konstatohet se shumë pak prej shkollave kanë shërbim profesional që të merren me fëmijët me autizëm. Nga 109 shkolla, vetëm 32 për qind e tyre kanë ekip profesional të përbërë nga kujdestari i klasës, mësuesi, psikologu, pedagogu dhe defektologu”- deklaroi zëvendësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovsja-Mustafa.
“Duhet të shfrytëzojmë këtë ditë si shkak për të ngritur vetëdijen e të gjithë qytetarëve dhe personave që merren me këtë problematikë. Fëmijët me autizëm po i hasim gjithnjë e më shumë, janë afër nesh, në transportin publik, nëpër zyre dhe shkolla, mirëpo jo gjithmonë jemi të vetëdijshëm se me çfarë barriera po ballafaqohen ata”- tha përfaqësuesi i BE–së për përforcimin e institucioneve, Jaromir Leviçek.
Inkluziviteti dhe arsimi i integruar i fëmijëve mund të japë rezultate konkrete për këtë problematikë, theksuan përfaqësuesit e sotëm në tryezën e organizuar nga avokati i popullit.
Edhe Komuna e Çairit dhe sektori civil bashkuan të gjithë fëmijët me një vend me pretendimin që të gjithë fëmijët të ndjehen të barabartë.
“Qëllimi ynë është të vetëdijësojmë prindërit që t’i nxjerrim fëmijët e tyre në pah dhe të bëhen trajtime në kohë, duke e ditur se spektri i autizmit ka vite, prej 1975 është zbuluar dhe në shtetet perëndimore ka disa terapi që përdoren për identifikimin e hershëm të këtyre fëmijëve, dhe po ashtu arrihet suksesi i këtyre fëmijëve”- u shpreh kryetarja e OJQ-së “Imago Plus”, Zymrete Bela-Vejseli.
“Është një tentativë plus e Komunës së Çairit në partneritet me sektorit civil, që përveç asaj që ofrohet në Shkollën “Ardhmëria”, që është në kuadër të Çairit për fëmijët me nevoja të posaçme, mundohemi që në mënyrë plotësuese të merremi me këta fëmijë, duke bashkëpunuar dhe punuar me prindërit e tyre që ata të mos i mbajnë fshehur, të mos i mbajnë larg shoqërisë, por t’i inkuadrojnë në këto projekte bashkë me fëmijët e tjerë”- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Një aktivitet tjetër që është në plan të realizohet nga Shoqata Joqeveritare “Imago Plus” dhe nga Komuna e Çairit është mbrëmja VIP, ku paratë dhe donacionet e mbledhura do të dedikohen për realizimin e projekteve të cilat do përmirësojnë gjendjen e fëmijëve me autizëm.
REXHEP QAMILI
