Konsulli i Kosovës në Strugë manifeston ditën e pavarësisë së Kosovës

16.02.2024 14:28

Me iniciativën e ambasadës së Kosovës në Shkup...

Me iniciativën e ambasadës së Kosovës në Shkup dhe konsullit të përgjithshëm në Strugë, u manifestua dita e pavarësisë së Kosovës. 
 
Në manifestim kishte personalitete të ndryshme edhe nga kori diplomatik, duke përfshirë edhe ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, i cili u shpreh se janë mirënjohës për mbështetjen që Maqedonia i jep Kosovës. 
 
Ndërsa mikpritës i mbrëmjes festive ishte konsulli i përgjithshëm në Strugë, Agim Krasniqi.
 
“Kur flasim konkretisht për Strugën dhe lidhjet e saja me Kosovën, sado që Struga është gjeografikisht më larg me Kosovën, lidhjet e shumta familjare, intelektuale dhe individuale janë të pafund dhe themi me mburrje që streha intelektuale akademike, Universiteti i Prishtinës ka shërbyer si urë lidhëse mes Strugës dhe Kosovës.”, - deklaroi ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Florian Qehaja.
 
“Për nder të ditës së pavarësisë, në shumë ambasada dhe konsullata të përgjithshme të Kosovës në shumë shtete mike nëpër botë mbahen manifestime përkatëse. Në këtë festë kujtojmë rezistencën dhe luftën e madhe çlirimtare të popullit të Kosovës, nderojmë sakrificën, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së dhe familjen emblematike Jashari dhe kontributin e të gjithë gjeneratave për liri dhe demokraci.”, - u shpreh Agim Krasniqi nga konsulli i përgjithshëm. 
 
Një ditë më parë një manifestim për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës u mbajt edhe në ambasadën e Kosovës në Shkup, ku pjesëmarrës ishin një numër i madh i personaliteteve diplomatike, por edhe qytetarë. 
 
Ambasadori i Kosovës u shpreh se janë shumë mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe më gjerë. (Ilmie Zhaku, TVM2)