Kosova nesër shënon 16 vjetorin e pavarësisë, Bajden: Kosova dhe ShBA-ja, miq dhe partnerë
16.02.2024 14:10
Kosova po përgatitet të shënojë 16 vjetorin e pavarësisë...

Kosova po përgatitet të shënojë 16 vjetorin e pavarësisë së saj. Me këtë rast, presidenti amerikan Xho Bajden, i ka shkruar presidentes Vjosa Osmani, duke konfirmuar se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm dhe të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues.
Bajden e ka përmendur edhe dialogun duke theksuar se ShBA-ja mbështet përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm - të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë - një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale.”, thuhet në letrën e presidentit Bajden, në të cilën po ashtu inkurajon lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
“Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm të sigurisë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE-së.”, theksohet në mesazhin e presidentit Bajden.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në mbledhjen e jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. (Gyltene Sinani, TVM2)
