Izraeli bombardon sërish Gazën, 112 të vrarë dhe 157 të plagosur

16.02.2024 14:58

Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës....

Vazhdojnë bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës. Gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 112 palestinezë dhe janë plagosur 157 të tjerë afër kufirit me Egjiptin,në Rafah. 
 
Nga OBSh-ja thonë se spitalet bëhen jofunksionale, pasi ushtria izraelite i ka vënë nën shënjestër. 
 
Nën rrënoja dhe nëpër rrugë ka ende kufoma të të vrarëve, sepse ekipet shëndetësore dhe të mbrojtjes civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat, për shkak se pengohen nga forcat izraelite. Mijëra fëmijë palestinezë i kanë humbur të dy prindërit. 
 
“Këtë e kemi parë edhe në spitalet tjera në Gaza, ku ushtria me operacionet ushtarake i afrohen spitalit. Stafi nuk mund të shkojë në spital. Pacientët nuk mund të hyjnë në spital. OBSh-ja nuk mund të sjellë furnizimet e tyre. Dhe spitali shumë shpejt bëhet pjesërisht funksional, mezi funksional dhe jofunksional.”, - deklaroi përfaqësuesi i OBSh-së, dr. Riçard Peperkorn.
 
"Kam humbur babain dhe dy vëllezërit e mi. U strehuam në spitalin “Al-Shifa”, pastaj në qytetin Kan Junis dhe prej andej u zhvendosëm në qytetin Rafah. Babai im ishte duke qëndruar në dritare duke u përpjekur të kapte një sinjal telefoni për të thirrur për ndihmë. Papritur, ai u godit nga një raketë.", - u shpreh një jetim, Malek Al-Zajtuna.
 
"Papritmas na bombarduan dhe kishte shumë copëza. Babai im u vra. Më pas ne u zhvendosëm në një strehë tjetër në Gazë, ku ndodhi një tjetër bombardim.”, - theksoi një jetime nga Gaza, Sama Ismail.
 
"Numri i fëmijëve jetimë që kanë humbur të dy ose njërin nga prindërit e tyre është rritur në 17,000. Këta fëmijë jetojnë në një gjendje psikologjike delikate si rezultat i ndjenjës së dhimbjes së humbjes dhe zhvendosjes.”, - deklaroi psikologu, Sherif Al-Sharif.
 
Hezbollahu libanez hedh raketa mbi Izraelin, Izraeli u përgjigjet sulmeve të Hezbollahut
 
Ndërkohë grupi i armatosur libanez Hezbollah hodhi dhjetëra raketa drejt Izraelit në mbështetje të palestinezëve. Por, ushtria izraelite është përgjigjur me një kundërsulm në Liban.
 
"Këto janë masakrat e Izraelit. Qoftë Netanjahu, Bajden, Shtetet e Bashkuara apo Evropa, ata janë të gjithë partnerë. Zoti na ruajt nga ajo që po vjen.”, - tha një libanez.
“Numri i të vdekurve arriti në dhjetë. Fatkeqësisht, shtrirja e shënjestrimit ishte i madh dhe ata ishin të gjithë civilë, shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë. Mes tyre janë vetëm dy burra. Ne jemi mësuar me sulmet izraelite dhe nuk është diçka e re për ne.”, - tha një libanez tjetër. 
 
Presidenti amerikan, Xho Bajden, vazhdimisht i ka bërë thirrje Netanjahut që të respektojë rregullat e luftës. Ai tha se Izraeli nuk duhet të sulmojë qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës pa pasur një plan të besueshëm për garantimin e sigurisë së civilëve. 
 
Numri i të vrarëve palestinezë ka arritur rreth 30,000. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)