Botë
Lufta në Ukrainë, qyteti Avdiivka, gati të bjerë në duart e rusëve
16.02.2024 15:44
Pas betejave të ashpra muajt e fundit, për marrjen nën kontroll të qytetit Avdiivka në Ukrainë...

Pas betejave të ashpra muajt e fundit, për marrjen nën kontroll të qytetit Avdiivka në Ukrainë, ushtria ruse po përparon dhe qyteti shumë shpejt pritet të bjerë në duart e rusëve, njoftojnë nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Xhon Kirbi, duke përmendur mungesën e municioneve në Ukrainë, tha se “Avdiivka rrezikon të bjerë nën kontrollin rus”.
"Dua të ndaj disa fjalë për situatën në fushën e betejës, situatën në Ukrainë ku luftimet janë tepër intensive në Lindje, veçanërisht në një qytet të quajtur Avdiivka. Është një qytet për të cilin kemi folur disa herë më parë. Për fat të keq, ne marrim raporte nga ukrainasit se situata është kritike, me rusët që vazhdojnë të shtypin pozicionet e Ukrainës çdo ditë. Avdiivka rrezikon të bjerë në duart e rusëve.”, - deklaroi Xhon Kirbi nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, u zotua të bëjë gjithçka për të "shpëtuar sa më shumë jetë ukrainase dhe për ta mbrojtur këtë qytet".
"Ne bëjmë maksimumin që luftëtarët dhe lidershipi ynë dhe aftësitë teknologjike të jenë të mjaftueshme për të shpëtuar sa më shumë jetë ukrainase. Avdiivka rrezikon të bjerë, por do të bëjmë gjithçka që ta shpëtojmë. Nënshkrova disa dekrete për ndryshime të reja në forcat mbrojtëse të Ukrainës.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Trupat ruse kanë arritur përfitime në Avdiivka, duke kërcënuar se do ta rrethojnë atë. Senati i ShBA-së miratoi një paketë ndihme të huaj prej 95 miliardë dollarë - duke përfshirë 60 miliardë dollarë për Ukrainën. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha se marrëdhëniet me Perëndimin nuk mund të rregullohen derisa ata e furnizojnë Ukrainën me armatim.
“Perëndimi duhet ta pranojë gabimin e tij dhe të gjejë një rrugëdalje që është e përshtatshme, por duke marrë parasysh se problemi i Ukrainës, siç e kemi përshkruar, duhet të zgjidhet dhe kjo zgjidhje nuk vjen duke e furnizuar Perëndimi me armatim Ukrainën.”, - u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ukraina është në mënyrë kritike e varur nga furnizimet me armë nga ShBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë për të qenë në gjendje të vazhdojë të luftojë Rusinë - një forcë shumë më e madhe ushtarake me një bollëk municionesh artilerie.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi se dështimi i ShBA-së për të miratuar ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën kishte tashmë një ndikim në fushëbetejë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
