Maqedoni
Konferenca e sigurisë në Mynih, Xhaferi, Pendarovski e Osmani, atje
16.02.2024 16:50
Delegacioni shtetëror në përbërje të kryeministrit Talat Xhaferi, presidentit Stevo Pendarovski...

Delegacioni shtetëror në përbërje të kryeministrit Talat Xhaferi, presidentit Stevo Pendarovski dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, në konferencë treditore për sigurinë në Mynih. Situata në Ukrainë, Lindje të Mesme, mbrojtja dhe siguria në Evropë nën domenin e ndryshimeve gjeopolitike, ndër temat kryesore në këtë takim liderësh botëror.
Temë tjetër me rëndësi që përkon me aktualitetin janë zgjedhjet në më shumë se 65 vende në botë. Kryeministri Xhaferi potencon rëndësinë e diskutimit për sigurimin e zgjedhjeve demokratike për diku 2 miliardë qytetarë botëror në këtë vit.
“Roli i ShBA-së në kontekst të asaj çka është siguria botërore dhe rregullimi botëror është një nga tema që po ashtu do të trajtohet dhe duke pasur parasysh faktin se në të shumtën e vendeve në botë është vit zgjedhor dhe rreth 2 miliardë popullsi e botës do të jetë e përfshirë në proceset zgjedhore, në fokus të trajtimit gjithsesi edhe sigurimi i parakushteve për zgjedhje demokratike nga çka do të burojnë institucionet e reja të vendeve përkatëse.”, - deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
Dokumentet personale për Diasporën, Osmani: Puna ec shumë shpejt
Kryeministri Xhaferi, bashkë me ministrin Osmani, në konsullatën e RMV-së në Mynih për të parë për së afërmi rrjedhën me nxjerrjen e dokumenteve të udhëtimit me emrin e ri kushtetues. Osmani i kënaqur me angazhimin maksimal të nëpunësve konsullor, për t’u ardhur në ndihmë diasporës në marrjen e dokumenteve të reja.
“Ajo çfarë është më e rëndësishmja, deri para disa muajve, është pritur mesatarisht nëntë muaj, nga fotografimi deri te marrja e pasaportës. Tash kemi situatë ku njerëzit të cilët janë fotografuar më 26 janar, sot t’i kenë pasaportat me emrin e ri kushtetues.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Në suaza të konferencës për siguri në Gjermani, delegacioni ynë shtetëror do të jetë pjesëmarrës në debate dhe panele të ndryshme, ku do të adresohen zgjidhjet e mundshme për sfidat që diktohen nga zhvillimet e hovshme botërore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
