Maqedoni
ASh: Kuvendi i 10 shkurtit, jolegjitim
16.02.2024 17:12
Kuvendi ASh-së, i mbajtur me 10 shkurt, nga kryetari i kuvendit, Ziadin Sela...

Kuvendi ASh-së, i mbajtur me 10 shkurt, nga kryetari i kuvendit, Ziadin Sela, është antiligjor dhe ka shkelur statusin e partisë, tha sot përfaqësuesi ligjor i ASh-së, Abedin Abduli. Sipas tij, kuvendi nuk ka pasur dy të tretën e votave për të sjellë vendim, ndërsa tha se të notarizuar dhe me deklaratë, 70 kuvendarë përkrahin vendimin e Taravarit.
“Kuvendi i mbajtur më 10 shkurt të këtij viti, përveç se është jolegjitim, i njëjti në vete ngërthen edhe shumë elemente të veprave penale. Shumica e kuvendarëve të regjistruar nuk kanë marrë pjesë në atë kuvend. Unë para jush kam deklarata të thëna në noter, nga 70 kuvendarë të regjistruar, të cilët deklarojnë se nuk kanë marrë pjesë në kuvendin e mbajtur më 10 shkurt të këtij viti, i thirrur nga kryetari i kuvendit. Mund të konstatojmë se kuvendi i mbajtur më 10 shkurt nuk e ka pasur 2/3 e mjaftueshme për të thirrur kongres, të cilët e kanë thirrur më 18 shkurt, si dhe kuvendi i mbajtur më 10 shkurt nuk ka pasur as gjysmën e kuvendarëve të regjistruar, kështu që ai kuvend është jolegjitim dhe i falsifikuar.”, - deklaroi avokati i ASh-së, Abedin Abduli.
Ish-ministri Aliu tha se vulat e partisë i ka Arben Taravari dhe me logon e partisë do të shkojnë në zgjedhje. Ndërsa tha se pas zgjedhjeve nuk do bëjnë koalicion me partitë që nuk i kanë synim eurointegrimet e vendit.
“Partia, vulat e kryetarit dhe shumica është me ASH-në dhe ne do të shkojmë me logon, vulën dhe me mburrje me ASh-në. Ne jemi ASh dhe do shkojmë koalicion me popullin. Nëse ka pasur vija të kuqe është ASh-ja që i ka pasur, ne do të vazhdojmë frymën dhe vijën e kuqe si i kemi pasur më herët. Ne nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike, e cila nuk është në përputhshmëri me vlerat dhe politikat e partisë sonë. Këtu ju e dini se njëra ndër vlerat e partisë është BE-ja dhe vlerat e BE-së.”, - u shpreh Azir Aliu nga ASh.
Përndryshe, sot kongres të jashtëzakonshëm ka thirrur krahu i Arben Taravarit, ndërsa për më 18 shkurt kongres të jashtëzakonshëm ka thirrur krahu i Ziadin Selës. Ish-ministri Aliu tha se sot kemi thirr kongres për t’i dhënë dritë jeshile kandidaturës së Taravarit për president e jo për dorëheqje, pasi me status të partisë nuk parashihet dorëheqja.
VISAR SADIKI
