Maqedoni

Rashçe, policia sekuestron një sasi armësh

02.04.2015 17:31

Policia sot ka arrestuar një person 46 vjeçar me iniciale B. K. nga fshati Rashçe, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij ka gjetur një sasi të madhe armësh...

Policia gjithashtu njoftoi se personi në fjalë është i njohur për policinë për veprat penale “grabitje”, “falsifikim të dokumenteve”, “vjedhje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”, për të cilat vepra ka qenë i dënuar me burg.
 
“Është bërë kontroll në shtëpinë e personit 46 vjeçar në fshatit Rashçe, ku janë gjetur një pushkë automatike, tre karikatorë të zbrazur, dy pistoleta automatike të tipit “Skorpion”, si dhe plumba të kalibrave të ndryshëm. Gjithashtu janë gjetur edhe 17 pako me kokainë, 2 pako me materie të panjohura të pluhurit, 3 skuter dhe një motoçikletë, për të cilat dyshohet që janë me dokumente false”- deklaroi zëdhënësja e MPB-së, Liza Pendevska.
 
Po ashtu, Policia Financiare gjatë ditës së sotme ka arrestuar edhe 3 persona nga Shkupi, prej të cilëve 2 pronarë të firmave private dhe një drejtor, për shkak të ekzistimit të dyshimit se kanë bërë krim financiar prej 278.000 eurove.
 
Personat e arrestuar pas hetimeve te prokurori publik janë nxjerrë para gjykatës në procedurën paraprake, e cila për shkak të seriozitetit të rastit, dy të dyshuarve u ka caktuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve, ndërsa njërit i është caktuar masë e marrjes së patentës së shoferit.
 
ERSAN PAJAZITI