Maqedoni

“Bomba” e XVI, parregullsitë zgjedhore në Kumanovë

02.04.2015 17:48

Parregullsitë dhe mashtrimet zgjedhore të partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMN...

Parregullsitë dhe mashtrimet zgjedhore të partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMN, janë pjesë e “bombës” së XVI-të që u publikua nga dega e LSDM-së në Kumanovë.
 
Në bisedat e përgjuara telefonike dëgjohet ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, teksa flet me ministrin e Shëndetësisë, Nikola Todorov, dhe me sekretarin e VMRO-DPMNE-së, Kiril Bozhinovski, dhe u kërkon që t’i japin 75 mijë euro partisë serbe të Dragisha Miletiqit.
 
Nga LSDM-ja thonë se nga bisedat dëgjohet që Bozhinovski, duke i raportuar ministres Jankullovska, thotë janë dhënë 250 mijë euro për etnitë më të vogla. 
 
Në një bisedë tjetër ajo thotë se ka siguruar 75 mijë euro për serbët e Kumanovës, ndërkaq më vonë paraqitet për t’u vërtetuar nëse paratë kanë shkuar tek serbët, apo, siç thotë ajo, te shqiptarët, me ç’rast përmend termin “shiptari”. 
 
Në bisedën tjetër të përgjuar, zëvendëskryeministri, Vladimir Peshevski, kërkon nga Jankullovska që të japë urdhër për ndalimin e makinave që marrin pjesë në transportin e votuesve të LSDM-së me arsyetimin e kontrollit teknik.
 
“Ky është një mashtrim klasik kriminal. Në Kumanovë nuk ju kaloi dhe as që do ju kalon ndonjëherë. Madje, edhe me këso mashtrimesh zgjedhore VMRO-DPMNE-ja nuk arriti që të ndryshojë dëshirën e qytetarëve të Kumanovës. Qytetarët e Kumanovës i thanë “jo” Nikolla Gruevskit dhe shkeljes së tij ndaj demokracisë dhe lirisë”- deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.
 
Me publikimin e bisedave të përgjuara, sot socialdemokratët zbuluan edhe tradhtinë që u kishte bërë funksionari i tyre, Viktor Cvetkovski. Jankullovska dhe Cvetkovski, i cili deri në vitin 2013 ishte kryesues i Këshillit Komunal të Kumanovës, flasin për votat që Cvetkovski i kishte premtuar VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale të vitit 2013.
 
Kostovski, po ashtu bëri të ditur se në orën 18 e 30 në Kumanovë, LSDM do të mbajë tubim, një marsh protestues në të cilin do të jetë i pranishëm edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. 
 
SANIJE KASAMI