Maqedoni

Diskursi politik nën “thjerrzë”, kur politika abuzon, qytetari e pëson

17.02.2024 15:30

Në luftën për pushtet partitë politike shpesh-herë nuk kursejnë që të hedhin akuza ndaj njëra tjetrës pa dëshmi, pa fakte, madje edhe duke përdorur një gjuhë të papërshtatshme.

“U pa u dëshmua, Hristijan Mickoski gjithçka çfar tha gënjeu” - Martin Kostovski - LSDM
 
“Kovaçevski e shiti LSD-në. Për një ditë më tepër qeveri i shërben BDI-së” - Dragan Kovaçki - VMRO-DPMNE
 
“Lider i krimit, në këtë Front, mbetet familja e liderit të BDI-së” - Besar Durmishi - LEN 
 
Këto janë vetëm disa nga ofendimet e shumta që përdorin partitë politike për të nënçmuar ose degraduar kundërshtarët politik. E në një vend mulietnik si Maqedonia e Veriut shpesh-herë nacionalizmi është karta në cilën luajnë partitë politike. Partitë nuk ngurojnë edhe të kthehen në vitin 2001 dhe kryeministrit ti drejtohen me fjalën “Komandant”.
 
“Vetëm për të vazhduar krimin dhe korrupsionin e bënë kryeministër të Maqedonisë Talat Xhaferin ose komandant Forinën” - Mile Lefkov - VMRO-DPMNE
 
“Një fakt është I pamohueshëm se komandanti pranon urdhra nga dikush sepse dëshiron ta nënçmojë atë” - Halil Snopçe - ASh
 
Subjektet politike dhe funksionerët politik, diskursin e tillë e shtrijnë edhe nëpër rrjete sociale. Për shembull deputeti Ademi përmes një statusi në facebook akuzon opozitën shqiptare se po ndihmohet nga VMRO përmes lidhjeve pro-serbe dhe pro-ruse, duke i quajtur derivate të BDI-së. 
 
“Narativet e dëmshme pasojat i ka në qytetarin e rëndomtë. Ky diskurs ndikon në polarizimin dhe në ndarjen e më tejshme të shoqërisë.”
 
Ndikimi në popullatë mund të shkojë deri aty ku sipas sociologut Ali Pajaziti, turmat kalojnë në humbjen e vet-kontrollit.
 
“Ndikon jashtzakonisht tepër tek masa duke ditur efektin e mesazhin tek njeriu i thjeshtë apo i rëndomtë, i cili nuk ka kapacitet dhe nuk mendon shumë racionalisht por vepron në bazë të emocioneve apo ndjenjave.  Njerëzit janë të gatshëm që për një kauzë të krijuar brenda disa muajve e të fryrë me metoda dhe metodologji të ndryshme të jenë në gjendje të sakrifikojnë veten.”, u shpreh sociologu Ali Pajaziti.
 
Në normalizimin e diskursit publik rol të madh luajnë mediat. Ato sipas kryetarit të ShGM-së Çadikovski duhet të jenë transmetues të së vërtetës dhe ti përmbahen normave etike. 
 
“Mediat dhe gazetarët duhet të jenë mbrojtës të sëvërtesës dhe të mundohen që me të gjitha fuqitë të bëjnë një verifikim të informacioneve të tilla, përkatësisht dezinfomacioneve apo narativave të dëmshme apo propagandistike që vijnë nga ana e partive.  As deklaratat e partitë partive politike nuk duhet të pranohen pa rezervë, por duhet që të verifikohen në mënyrë serioze para se të publikohen, njejtë edhe komunikatat, sepse në të kundërtën do të shndërohemi në poligon në arenën e betejës politike jo-kritike, që nuk zgjedh as kohë, as vend, as mjete që të arsyeton qëllimet e veta.”, tha kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski. 
 
Narrativi negativ ndikon edhe në uljen e jehonës së votuesit dhe interesit të të rinjëve për tu marrë me politikë,madje është i padobishëm edhe për vet partitë politike. 
 
“Nuk ka treguar eksperienca se narrativi negativ i emocionon qytetarët, ka reaksion pozitiv te qytetarët. Ka një grup, të cilët janë më ekstrem –brenda të gjithëve partive politike, të cilët shkojnë pas atyre narrativave, por efektet janë negative, mund të ndodh që ato të kenë ngacmime, të ketë tensione , rrahje, që mendoj se nuk është qëllimi kryesor i zgjedhjeve.”, tha politikolog Albert Musliu.
 
Nevoja për një debat të bazuar në argumente të vërtetuara është shumë e rëndësishme për të promovuar përfshirjen e qytetarëve në procesin politik, thonë ekspertët. (Gazetar Ersan Pajaziti)
 
 
Ky produkt mediatik është prodhim i TVM2 në bashkëpunim me Institutin për Studime të Komunikimit dhe i përkrahur nga Ambasada e Britanisë së Madhe, në kuadër të projektit “Shfrytëzo faktet”