Maqedoni
Opozita shqiptare zyrtarizon bashkëpunimin, koalicioni “VLEN” synon të sjell ndryshimin
17.02.2024 17:48
Zyrtarisht pjesë e opozitës shqiptare u bë edhe ASh e Arben Taravarit, koalicion ky që tashmë do të mbajë emrin “VLEN”...

Zyrtarisht pjesë e opozitës shqiptare u bë edhe ASh e Arben Taravarit, koalicion ky që tashmë do të mbajë emrin “VLEN”. Me nënshkrimin e një deklarate, ata shpallën bashkimin dhe pjesëmarrjen e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Beteja e këtij koalicioni siç tha kandidati për president Arben Taravari do të jetë sistemi 21 vjeçarë.
“Kjo është veçmë një lëvizje, lëvizja shqiptare, e cila do ta bën historinë nlë RMV, duke e sjell ndryshimin politik te shqiptarët. Unë sdua të përmend as kundërshtar politik më, ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 21 vjeçarë.”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare, Arben Taravari.
Për krerët e partive politike pjesë e këtij koalicioni ky bashkim është momenti më historik për shqiptarët në dy dekadat e fundit. Sipas tyre deklarata e nënshkruar për bashkëpunim hodhi themelet e një epoke të re në politikën shqiptare.
“Me nënshkrimin e kësaj deklarate për koalicionin, në këtë ditë të shënuar të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ne po vendosim themelet e një fryme të re të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.”, tha kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
“Bashkangjitja e Aleancës për Shqiptarët në koalicion tregon për vendosmërinë, shpirtin revolucionar dhe vullnetin për ndryshim të popullit shqiptar. Doktor, të jesh i bindur se vendimi juaj për të qenë pjesë e këtij procesi ja vlen.”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
“Si asnjëherë më parë, kësaj rradhe ne e dhamë provimin e pjekurisë politike dhe dëshmuan se dijmë, duam dhe mundemi të bëhemi bashkë kur e kërkon nevoja.”, tha kryetari i Alternativa, Afrim Gashi.
Koalicioni i Taravarit me Besën, Alternativën dhe Lëvizjen Demokratike ka qenë shkaku i sherrit me Zijadin Selën. Ish-presidenti kërkoi që partia të dalë e pavarur në zgjedhje dhe Taravari e refuzoi shprehimisht propozimin, i cili pasoi me ndarjen në dy kampe dhe shkarkimin e ministrave Aliu dhe Mexhiti. Sela ka caktuar për nesër Kongresin Qendror për të kërkuar shkarkimin e Taravarit.
ERSAN PAJAZITI
