Botë

Humbja e Ukrainës në Avdievka, Biden fajësoi "mosveprimin e Kongresit"

18.02.2024 13:28

Humbja e Ukrainës në Avdievka është rezultat i mosaktivitetit të kongresit amerikan...

Humbja e Ukrainës në Avdievka është rezultat i mosaktivitetit të kongresit amerikan. Për presidentin amerikan Biden, tërheqja e forcave ukrainase nga lindja e vendit është pasojë e bllokimit të ndihmës shtesë ushtarake prej 60 miliardë dollarësh. Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, ata i bënë thirrje edhe një herë Kongresit Amerikan që të miratojë ndihmën shtesë për Kievin pa vonesë. Në bisedën telefonike me Zelenskyn, Biden përsëriti mbështetjen amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
 
“Kam folur me Zelensky. I thashë se kisha besim se do të merrnim para për të parandaluar pushtimin e vendit nga Rusia. E dini, gjithçka është në linjë. Përsëri dëgjoj kandidatët republikanë duke thënë se unë kurrë nuk i kam shpjeguar popullit amerikan pse NATO është kaq e rëndësishme. NATO-Aleanca është vendimtare për mbijetesën tonë.”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
 
Edhe ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba, nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të rrisin furnizimin me armë dhe municione në Ukrainë.
 
“Çështja më e rëndësishme është sasia dhe qëndrueshmëria e furnizimit me armë." Situata sot është shumë e keqe. Dhe ky nuk është vetëm vlerësimi im, ky është mesazhi që të gjithë po marrim nga vija e parë.”, tha ministëri i punëve të jashtme të Ukrainës, Dimitri Kuleba. 
 
Ndërkohë rënia e Avdievka festohet nga Kremlini si një sukses i rëndësishëm. Putin e quajti kapjen e qytetit një fitore të rëndësishme pasi shefi ushtarak i Ukrainës pranoi se ata po tërhiqeshin nga lindja e vendit pas disa muajsh luftimesh intensive.
 
“Çlirimi i Avdievka bëri të mundur largimin e vijës së frontit nga Donetsk, i cili na mbrojti ndjeshëm nga sulmet e regjimit kriminal në Kiev.”, tha zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes Ruse, Igor Konashenkov. 
 
Javën e ardhshme bëhen dy vjet nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, kur forcat ruse nisën sulme të paparalajmëruara në disa qytete të Ukrainës. Dhjetëra mijëra njerëz vdiqën dhe pushtimi shkaktoi krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
 
FARIJE DAUTI BAKIU