Maqedoni

Arrestohet shefi i sigurimit të Mickoskit pas një përleshje fizike me një koleg

18.02.2024 14:41

Një nëpunës policor jashtë detyrës ka sulmuar kolegun e tij para një restoranti....

Një nëpunës policor jashtë detyrës ka sulmuar kolegun e tij para një restoranti. Nga MPB konfirmojnë se ai është pjesë e sigurisë së liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai është arrestuar menjëherë dhe ndaj tij do të ngrihet padi.
 
“Njësiti për tregti ilegale në SPB-Shkup ka privuar I.B. (43) nga Shkupi, polic i cili nuk ka qenë në detyrë, pasi ka sulmuar fizikisht një polic i cili po kryente veprime zyrtare. Personi është ndaluar në Komisariat dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës.”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
 
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe duhet të japë udhëzime për veprime të mëtutjeshme, ka shkruar ministri Toshkovski. Zbardhjen e rastit ka kërkuar edhe zëvendësministri shtesë Bojmacaliev, i cili ka ngritur alarmin për ngjarjen. Anëtari i arrestuar i sigurimit të Mickoskit menjëherë do të largohet nga pozita e tij, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
“Me sa dimë bëhet fjalë për padurim personal mes dy nëpunësve policor. Pas kësaj ngjarje do të hiqet nga siguria dhe nuk do të ketë asnjë angazhim pune lidhur me kryetarin e partisë. Kërkojmë që autoritetet pa rezerva të marrin të gjitha masat e nevojshme për ndriçimin e ngjarjes dhe ndëshkimin më të ashpër të çdo lloj dhune, duke vepruar në përputhje me ligjin.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
I arrestuari, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i Mickoskit, ka tentuar të parandalojë një aksion policor, thonë socialdemokratët.
 
“Edhe pse ai është vetë polic, shefi i sigurimit të Mickovskit u përpoq të parandalonte një aksion të policisë për drogën. Prandaj është rrahur inspektori i policisë për luftën kundër drogës. Një sulm ndaj policisë, një sulm ndaj policëve është një sulm ndaj shtetit. E kemi fjalën për të njëjtin Ivica Bisovski, i cili gjatë pandemisë së Covid-it ka qenë së bashku me Mickovskin në palestër  dhe më pas në një kafene në rrugën Bohemska.”, tha Darko Kaevski nga LSDM.
 
Në ditët në vijim pritet zbardhja e plotë e rastit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU