Maqedoni
ASh e Selës e shkarkoi Taravarin, Sela: Jam kryetar legjitim dhe moral i ASh-së
18.02.2024 17:54
Kongresi i jashtëzakonshëm i ASh-së i krahut të Ziadin Selës, ka votuar për shkarkimin e Arben Taravarit...

Kongresi i jashtëzakonshëm i ASh-së i krahut të Ziadin Selës, ka votuar për shkarkimin e Arben Taravarit nga kreu i partisë dhe rikthimin në krye të ish kryetarit të kësaj partie Ziadin Sela. Ky i fundit tha se ky kongres ishte i detyrueshëm pasi sipas tij, Taravari nuk ka konsultuar organet e partisë dhe strukturën e partisë
“Kemi qenë të detyruar që si strukturë partiake të ecim në këto hapa për shkak të izolimit të kryetarit të partisë nga organet e partisë, duke u nisur nga kryesia qendrore, nga kuvendi qendror dhe sot në këtë kongres të jashtëzakonshëm, të thirrur sipas çdo norme statutare, kongresi vendosi që të vendoj para përgjegjësisë tani më ish-kryetarin e partisë dhe me votë unanime nga të pranishmit u votua që të shkarkohet kryetari i partisë Arben Taravari.”, u shpreh Sela.
Sela tha se legjitimitetin kryetari i partisë e fiton nga anëtarësia, kurse kongresi i përbërë nga 591 delegatë është dëshmia më e madhe për këtë.
“Kryetar legjitim i Aleancës për Shqiptarët ëshhtë ai që kanë vendos delegatët sot dhe unë jam kryetar i Aleancës për Shqiptarët, unë jam themelues i këtij subjekti politik bashkë me aktivistët dhe nuk e di kush a ka të drejtën morale ta kontestojë këtë gjë, morale them, ndërsa në aspektin legal do të vendosin gjykatat.”, tha Sela.
Përndryshe të premten në Shkup, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Arben Taravari mbajti një kongres dhe ai u rizgjodh kryetar i partisë. Ndarja në parti filloi pasi Taravari deklaroi se do të mbështesë opozitën shqiptare në zgjedhje dhe Sela tha se partia nuk është konsultuar për një gjë tillë.
ERSAN PAJAZITI
