Botë
Izraeli: Të lirohen pengjet deri në mars, nëse kjo nuk ndodh, nis sulm i ri
19.02.2024 09:25
Ministri izraelit Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit, paralajmëroi se Izraeli..

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i ka hedhur poshtë sërish thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë. Ndërkohë, një anëtar i kabinetit të tij ka kërcënuar me pushtim të qytetit jugor të Gazës, Rafah, nëse pengjet e mbetura izraelite në duart e Hamasit, nuk lirohen deri në nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në kohën e bllokimit të negociatave për armëpushim, Netanjahu i ka quajtur kërkesat e Hamasit si “iluzione”.
Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, janë duke shpresuar ende në arritje të armëpushimit dhe marrëveshje për pengjet, dhe janë në kërkim të një zgjidhjeje më të madhe për luftën e nxitur prej Hamasit, për shkak të sulmeve që ka kryer në tokën izraelite më 7 tetor të vitit të kaluar. Izraeli, në anën tjetër, ka treguar qartë se kundërshton thirrjet e ShBA-së për të gjetur një zgjidhje me dy shtete, ani pse edhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar mbështet një shtet të pavarur palestinez.
Lufta në Gazë ka vrarë të paktën 28,985 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Rreth 80 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur dhe një çerek po përballet me urinë.
