Maqedoni

Zoran Zaev, kërkon duel televiziv me Nikolla Gruevskin

02.04.2015 18:07

Lideri i opozitës socialdemokrate, Zoran Zaev, ka përsëritur se parakusht për daljen e vendit nga kriza është krijimi i asaj të cilën ai e quan qeveri teknike...

Lideri i opozitës socialdemokrate, Zoran Zaev, ka përsëritur se parakusht për daljen e vendit nga kriza është krijimi i asaj të cilën ai e quan qeveri teknike, në mënyrë që në zgjedhjet e reja, që do të jenë të lira e të ndershme, të fitojë më i miri. 
 
Në një intervistë për Televizionin “Art” të Tetovës, Zaevi i ka bërë thirrje kryeministrit, Nikolla Gruevski, që të dalë e të ballafaqohet me të drejtpërdrejtë përpara kamerave televizive. Vetëm kështu, përmes ballafaqimit të argumenteve, do të korrigjohen punët që nuk bëjnë në shoqëri.
 
“Carte blanshe! Haptazi, dhashtë Zoti të pranojë një duel! Dashtë Zoti, unë lutem me vite, dhe kjo parti. Ja, kryetar i saj jam tash një vit e nëntë-dhjetë muaj. Shprehimisht lutem! Në një vend normal demokratik, patjetër që duhet të ketë debate, duele, vetëm kështu nxirren mbi tavolinë të vërtetat dhe argumentet dhe vetëm në këtë mënyrë korrigjohen ato punë të cilat nuk bëjnë në shoqëri. Nëse nuk debatohet, nëse nuk ka duele politike, nëse nuk kundërvihen argumentet dhe faktet, edhe cilësia e jetës, tekefundit, tek qytetarët nuk është në atë nivel në të cilin mund të jetë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.