Maqedoni

“Vdekja” në burg e kritikut, Navalni, protesta kundër regjimit të Putinit

19.02.2024 14:04

Vdekja e Aleksei Navalni, kritikut të Kremlinit, ka nxitur protesta dhe homazhe në mbarë botën....

Vdekja e Aleksei Navalni, kritikut të Kremlinit, ka nxitur protesta dhe homazhe në mbarë botën. Një gjë e tillë nuk ka munguar as në Shkup, ku  mbështetës të aktivistit 47-vjeçar u mblodhën para ambasadës së Rusisë në Shkup  për të shprehur zemërimin e tyre për vdekjen e kritikut. Organizata për të drejtat dhe liritë e njeriut “CIVIL” iu ka bashkuar mijëra qytetarëve në mbarë botën që protestuan kundër regjimit  të Putinit. Për detaje i ndjekim deklaratat në vazhdim.

“Përgjegjësia për vdekjen e një të burgosuri mbetet e shtetit. Ju bëjmë thirrje urgjente autoriteteve ruse, që të lejojnë një hetim të pavarur mbi rrethanat e vdekjes së Aleksej Navalnit në koloninë penale të Siberisë. I bashkohemi kërkesave për lirimin e të gjithë të burgosurve politik në Rusi, si dhe t’i jepet fund brutalitetit policor dhe shtypjes ndaj qytetarëve.”. - u shpreh Diana Tahiri nga “CIVIL”.
 
“Vdekja e tij e pasqaruar tregon se federata ruse mbetet një diktaturë, një shtet autoritar që i ngulfat të gjitha zërat që janë kundër pushtetit të dhunshëm të Putinit, i cili së pari vë në robëri qytetarët e Federatës Ruse, mirëpo krijon probleme shumë të mëdha për demokracinë dhe paqen anembanë botës.”, - theksoi Petrit Saracini nga “CIVIL”.
 
“Apelojmë deri tek të gjithë qytetarët e botës, por edhe të vendit tonë që t’i bashkohen paraqitjeve për protesta në lidhje me vrasjen e Aleksei Navalnit.”, - tha Xhabir Deralla nga “CIVIL”.
 
Aleksei Navalni konsiderohet figura më e shquar politike opozitare në Rusi. Si kritik i zëshëm i Kremlinit, i cili i bëri ballë sulmeve fizike, helmimit, arrestimeve e gjyqeve gjatë përpjekjeve të tij për të vënë në pah korrupsionin në Rusi dhe duke sfiduar presidentin Putin. Ai madje u përpoq të kandidonte kundër Putinit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, por u ndalua të hynte në garë, për shkak të një dënimi të vitit 2014. Navalni ishte në burg që nga viti 2021 me akuza të konsideruara gjerësisht si të motivuara politikisht, ku edhe ndërroi jetë në kushte që deri tani ende mbeten misterioze.
 
GAZMEND KURTISHI