Maqedoni
Dhuna mes nxënësve, Shaqiri: Nuk ka përgjegjësi vetëm MASh-i
19.02.2024 15:28
Rastet e dhunshme mes nxënësve të regjistruara në ambientet edukativo-arsimore, sipas Ministrit të Arsimit dhe Shkencës...

Rastet e dhunshme mes nxënësve të regjistruara në ambientet edukativo-arsimore, sipas Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, nuk janë vetëm në përgjegjësinë e Ministrisë, por se në parandalimin e kësaj dukurie duhet të përfshihen edhe institucione të tjera. Shaqiri apeloi që të gjitha institucionet të përkushtohen ndaj këtij problemi sipas kompetencave të tyre, ndërsa nga prindërit kërkoi të bashkëpunojnë që të ketë sa më pak raste të bullizmit.
“Byroja e Arsimit dhe Shkencës duhet të vazhdojë me trajnimin e mësimdhënësve për atë temë, komunat të jenë më të kujdesshme në menaxhimin e shkollave, ndërsa shërbimet profesionale në shkolla të punojnë më me kujdes dhe më përkushtim në këtë problematikë. Por u bëj thirrje edhe prindërve për bashkëpunim të mirë që të kemi sa më pak raste të tilla. Sepse të gjithë janë në kontakt me nxënësit, duke filluar nga shkollat, por edhe prindërit. Gjithmonë raportoni çfarë duhet të raportohet në shkollë, por edhe në institucionet tjera.”, - u shpreh ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.
MASh-i vitin e kaluar hapi një adresë elektronike zyrtare për raportimin e dhunës nga bashkëmoshatarët: [email protected]. Sipas MASh-it, hapja e adresës elektronike ka vendosur një mënyrë të shpejtë, të besueshme dhe të sigurt, përmes së cilës nxënësit, prindërit dhe qytetarët mund të raportojnë incidentet. Raportimi i rasteve të tilla në email, sipas MASh-it, ka ndihmuar që shumë raste të problemeve të zgjidhen me një komunikim të mirë mes prindërve, drejtorëve dhe përfaqësuesve të institucioneve.
FLORIJE KAMBERI
